Google ADS

Kuvendi i Serbisë miraton raportin për Kosovën

18:23 | 28 Maj 2019
Arbresh.info

Kuvendi i Serbisë ka miratuar raportin për Kosovën të cilin e ka përpiluar zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Raporti u miratua me 145 vota për, katër kundër ndërkaq 13 deputetë nuk kanë votuar. Një pjesë e opozitës serbe nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë diskutimeve dyditore të raportit në Kuvendin e Serbisë ka thënë se “Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe se duhet të gjejë kompromis me Prishtinën për të normalizuar raportet”.

Deputetët kanë diskutuar për raportin që ka 82 faqe dhe në të cilin në 17 faqe paraqiten të dhënat mbi dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga viti 2013 deri në maj 2019, ndërsa pjesa tjetër paraqet “rezultatet më të rëndësishme të zyrës për Kosovën nga maji 2014 deri në vitin 2019”.

Në raport thuhet se dialogu në çdo drejtim ka punuar për interesant e serbëve si dhe gjatë periudhës së bisedimeve është arritur të ruhet qetësia në Kosovë dhe më gjerë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve kanë filluar në vitin 2011. Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu.

Pala serbe është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, prejse kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Vuçiq ka thënë se nuk do t’i rikthehet procesit, i cili ka nisur në vitin 2011, derisa kjo taksë mbetet në fuqi, por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka këmbëngulur se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme