Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media, ka sqaruar operacionin e sotëm që ka ndodhur në veri të Kosovës.
“Ministria e Punëve të Brendshme konkretisht Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë realizuar zbatimin e masave të kontrollit dhe arrestimin e personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Dyshohet se këto vepra penale janë kryesisht keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, kontrabandimi por edhe vepra të ndryshme të natyrës së krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin për media.
Në komunikatë thuhet se se operacioni është i mbështetur në urdhrat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale.
“Operacioni është i mbështetur në urdhrat e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale. Veprimet janë zhvilluar në komuna të ndryshme dhe nuk kanë karakter etnik. Ditë më parë operacion i ngjashëm është realizuar edhe në Vërmicë/Prizren”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u bë e ditur se Policia e Kosovës gjatë zhvillimit të operacionit ka hasur në rezistencë të armatosur në hyrje të Zubin Potokut, ku grupe të armatosura po mbanin të bllokuara rrugët me anë të barrikadave të vendosura.
“Këto grupe kanë sulmuar Policinë me ç’rast një polic është i plagosur me armë zjarri. Pas veprimeve të duhura, policia ka mënjanuar barrikadat dhe ka vazhduar me operacionin. Gjatë largimit të barrikadave gjashtë qytetarë kanë pësuar lëndime të lehta”, thotë MPB.
Ndër të tjera në komunikatë thuhet se , si rezultat i planit operativ të realizuar sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës ka arrestuar deri tani 19 zyrtar policor të dyshuar për vepra penale. Zyrtarët policor të arrestuar janë sjellë në ndërtesën e Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Janë arrestuar nga ana e Policisë edhe nëntë qytetarë tjerë për të cilët kishte urdhër-arrest dhe shtatë qytetarë të cilët kanë penguar Policinë në përmbushjen e detyrave të saj. Në barrikadën në Zubin Potok është arrestuar edhe një shtetas rus, bëhet fjalë për z.Mihajl Aleksandreviç Krasnoshchenkov, i cili kishte vendosur në barrikadë veturën me targa të UNMIK-ut”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Lidhur me rastin janë duke u zhvilluar hetimet ku është e përfshirë Prokuroria Speciale e Kosovës, si dhe Inspektorati Policor i Kosovës sipas autorizimeve të prokurorit kompetent.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë pjesëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit që morën pjesë në operacionet e sotme, si dhe i dëshiron shërim sa më të shpejtë pjesëtarit të plagosur të Policisë së Kosovës, përfundon komunikata e mediave nga MPB.
Kurti: Kemi shpëtuar e restauruar trashëgiminë e vlefshme ku...
Shqiptari vret gruan në sy të vajzës dhe prindërve në ShBA
Tërmet me magnitudë 4.7 ballë në Turqi
Kievi thotë se Rusia ia ka kthyer trupat e 563 ushtarëve
50% e të nominuarve për deputetë nga LDK-ja në Prishtinë, ja...
Shifra të çmendura: Është llogaritur se sa fiton Neymar me ç...