Përmbyllet me sukses projekti për Avancimin e Sistemeve të Telemjekësisë

13:50 | 28 Maj 2019
Arbresh.info

Qendra kombëtare e Telemjekësisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses projektin “Avancimi i Sistemeve të Telemjekësisë”, me të cilin është arritur instalimi i sistemeve, që ofrojnë kualitet të lartë komunikimi dhe mundësi më të mëdha në aplikimin e telemjekësisë në vende dhe rrethana të ndryshme.

Ky projekt është financuar nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë dhe është implementuar nga kompania Storm ICT.

I ndarë në dy vite implementimi, faza e parë e këtij projekti është përmbyllur me sukses në tetor të vitit 2018, ku është bërë instalimi i sistemit për videokonferenca dhe sistemit të zërimit në amfiteatrin e Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë në Prishtinë.

Po ashtu, në këtë fazë është instaluar edhe infrastruktura qendrore për menaxhimin dhe ruajtjen e videokonferencave, si dhe integrimi i infrastrukturës së vjetër, në mënyrë që sistemi të vazhdojë të funksionojë edhe me sistemet e vjetra, deri sa të përfundojë faza e dytë e këtij projekti dhe të gjitha sistemet e vjetra në qendrat rajonale të telemjekësisë të zëvendësohen me ato të reja.

Sistemi mobil i videokonferencave është kompletuar dhe funksionalizuar plotësisht dhe tani mund të përdoret qoftë për qëllime edukimi apo edhe transmetim nga ambiente të ndryshme, si në salla operacioni.

Amfiteatri është pajisur me sistem videokonferencash me kualitet të lartë të imazhit dhe zërit, monitor dhe projektor për të shfaqur në të njëjtën kohë prezencën lokale, atë në distancë dhe prezantimet.

Serverët e infrastrukturës qendrore janë instaluar dhe konfiguruar në dhomën e serverëve.

Gjithashtu, për t’u përshtatur me specifikat e sistemeve të reja, në bashkëpunim me ofruesin e shërbimeve të internetit dhe VPN-it, janë bërë konfigurimet dhe përshtatjet e nevojshme të rrjetit.

Në fazën e dytë janë instaluar sistemet e reja dhe të avancuara në qendrat rajonale të telemjekësisë në spitalet e përgjithshme në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan si dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.

Në këtë fazë, është bërë zgjerimi i rrjetit me dy qendra të reja të telemjekësisë, në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri dhe në Ferizaj.

Qendrat rajonale të telemjekësisë tashmë janë pajisur me kamera të cilësisë së lartë me transmetim imazhi të kualitet 4K, si dhe me pajisjet tjera si: TV me kualitet të lartë dhe audio sistem.

Pas përfundimit të instalimeve dhe konfigurimeve, është bërë trajnimi i stafit në secilën qendër në përdorimin, konfigurimin dhe mirëmbajtjen e këtyre sistemeve.

Këto pajisje kanë filluar të shfrytëzohen me kapacitet të plotë brenda rrjetit kombëtar të telemjekësisë, si dhe në nivel ndërkombëtar, duke ofruar një kualitet dhe përvojë të jashtëzakonshme komunikimi.

Menaxhimi i këtij projekti është bërë me një nivel të lartë profesionalizmi nga ana e stafit të QKTK-SHSKUK, me një bashkëpunim dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga ana e kompanisë implementuese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme