Google ADS

Ish-ambasadori kosovar: Çnjohja e shtetit ekziston si akt politik

23:58 | 27 Maj 2019
Arditë Shkodra

Sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, çnjohja ndaj një shteti ekziston, dhe është akt politik njësoj sikurse njohja.

“Meqë në kabinetin e ministrit aktual nuk ka persona që e kuptojnë diplomacinë, thonë se çnjohja nuk ekziston. Në marrëveshjet ndërkombëtare tërheqja e njohjes është real”, ka thënë ai në KTV.

Është kthyer te Faik Konica, kur në SHBA i kishin thënë se nuk është më përfaqësues i Shqipërisë atje, meqë vendi ishte pushtuar nga Itali, ndërsa ka marrë edhe shembuj më aktualë, siç është rasti me Tajvanin.

“Njësoj si njohja, ashtu edhe tërheqja e njohjes janë institucione politike. As një shtet, organizatë apo mekanizëm tjetër nuk mund ta detyrojë një tjetër shtet që ta njohë ose ta tërheq njohjen ndaj një shteti”, ka thënë Kiçmari.

Diplomati e sociologu kosovar ka thënë se është koshient që në përpjekjen e Serbisë për të siguruar çnjohje për Kosovën ka edhe korrupsion.

“Por ne nuk mund të themi se nuk ekziston çnjohja. Por të shënojmë këto raste, të kujdesemi që mos të na ndodhin të tjera. Sepse këto ndodhin zakonisht në vende të varfra, ku premtohen ndihma. Serbia kryesisht u ka ofruar armë”, ka thënë Kiçmari.

Megjithatë, Kiçmari ka thënë se natyrisht se një çnjohje nuk e rrezikon shtetësinë e Kosovës.

“Por këto reflektohen kur kandidojmë në organizata ndërkombëtare. Na tregoi se analiza e ministrit të Jashtëm për INTERPOL, ishte e pasaktë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme