Bashkimi Europian ende po lëkundet për vizat. Teksa gjermanët kanë dhënë dritën jeshile duke thënë po për heqjen e tyre, një zyrtare franceze pak ditë më parë tha se korrupsioni është pengesë pasi Kosova nuk e ka luftuar sa duhet.
Në një përgjigje për Gazetën Express Zëdhënësi i Prokurorisë ka thënë se aktualisht janë 51 raste të ashtuquajtura „të shënjestruara“ ku Kosova duhet ta tregojë vetën për t’i bindur europianët se e ka luftuar korrupsionin.
Pa përfundimin e gjykimeve të rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, kosovarët do të mund të lëvizin pa viza vetëm në ëndërr.
Hetimi dhe zbulimi i këtyre rasteve është kusht i BE’së për liberalizimin e vizave. E numri i rasteve që po e pengojnë procesin e liberalizimit të vizave, me kalimin e viteve vetëm sa po shkon duke u rritur.
Derisa në vitin 2016 këtë proces e pengonin 33 raste, tani numri i tyre ka arritur në mbi 50 raste.
Të përfshirë në këto raste janë mbi 300 persona. Disa prej këtyre rasteve janë me aktgjykime të formës së prerë, disa me aktgjykime të shkallës së parë e të tjerat në shqyrtime gjyqësore.
Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Luftiu i ka thënë Gazetës Express se deri tani janë të shënjestruara 51 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lutfiu tregon se në këto raste janë të përfshirë 374 persona, shumica e të cilëve për raste të natyrës korruptive.
“Ju njoftoj se në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), janë 51 raste të shënjestruara në të cilat janë të përfshirë 374 persona. Nga këto, 36 raste të natyrës korruptive me 208 persona, 15 raste janë të krimit të organizuar ku janë të përfshirë 166 persona”, ka thënë Luftiu.
Prej gjithë këtyre rasteve, në Prokurori tregojnë se vetëm 12 janë aktgjykime të formës së prerë, siç janë rastet e Shukri Bujës, Ilir Tolajt, Salih Mekaj, Enver Hasanit, Sekretarit të përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Milot Vokshi, rasti i njehsorëve “Koler”, rasti i kontrabandimit me armë.
Të tjerat ose janë me aktgjykime të shkallës së parë, në faza të shqyrtimit gjyqësor ose në fazën e hetimeve.
Por, ka edhe raste për të cilat janë pushuar hetimet ose janë pezulluar. Të tilla raste janë pesë.
“Veprimet e zhvilluara lidhur me 51 rastet e shënjestruara janë si në vijim: 12 aktgjykime të formës së prerë 12 raste me aktgjykim të shkallës së parë, 13 raste janë në fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe 9 raste në fazën e hetimeve; 4 raste me pushim të hetimeve dhe1 pezullim”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë Speciale.
Ndërkohë, për hetimin e këtyre rasteve, para më shumë se dy vitesh ishte formuar edhe një Komision.
Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane patën konfirmuar se agjencitë për zbatim të ligjit kishin themeluar një ekip të veçantë të udhëhequr nga një prokuror i prokurorisë speciale në mënyrë që të bashkërendojnë aktivitetet në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Zyrtarë të MIE’së patën thënë se ky ekip përbëhet nga përfaqësues nga policia, prokuroria, dogana, ATK, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe përgjatë hetimeve vlerëson nëse një rast mund të konsiderohet si korrupsion i nivelit të lartë dhe krim i organizuar.
Ndryshe, për rastet korruptive dhe të krimit të organizuar ishte deklaruar kohë më parë edhe ish- Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.
Lunaçek kishte thënë se Qeveria e Kosovës, duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.
“Dëshmitë konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të ofrohen. Duhet thjeshtë të publikohen, duhet të ketë dënime për këto raste të nivelit të lartë. Duhet të dokumentohet, të publikohet dhe kjo është ajo që nevojitet”, kishte thënë Lunacek.
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit