Ministri Bytyqi: ALLED 2 rritë mundësitë e pjesëmarrjes së të rinjve në tregun e punës

13:33 | 27 Maj 2019
Arbresh.info
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në Konferencën "Harmonizimi i arsimit dhe aftësimit me kërkesat e tregut te punës-ALLED
2", që financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim. Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i varfërisë dhe
rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, përmes përmirësimit të punësueshmërisë.

Në këtë Konferencë morën pjesë edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ambasadori i Austrisë, Gernot Pfandler, ministri i Punës dhe Mirëqenies
Sociale, Skender Reçica dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj. 

Ministri Bytyqi me këtë rast ka thënë se, Kosova ka një përqindje të lartë të rinisë, e cila konsiderohet burim i potencialeve për punë dhe perspektivë për të
ardhmen.  Ministri Bytyqi tha se, përmes projektit ALLED II, arsimi i lartë do të ketë më shumë mbështetje në programet e studimeve, përmes të cilave do të ketë
mundësi më të mira të zhvillimit të kapaciteteve të të rinjve në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.

"Përmes projektit ALLED 2 do të mbështetet veprimtaria në arritjen e rezultateve dhe mbështetjen e masave inovative, të parapara sipas planeve IPA 2017. Këtë projekt i
cili do të zgjasë deri në vitin 2022, MAShT e konsideron shumë të rëndësishëm, sidomos në uljen e varfërisë në vend, duke rritur pjesëmarrjen e të rinjve në tregun
e punës dhe duke rritur punësimin e shoqërisë", u shpreh Ministri .

MAShT së bashku me partnerët, theksoi ministri Bytyqi, janë të përkushtuar që përmes përgatitjes së standardeve të profesioneve, zhvillimit të kurrikulave, fuqizimit të
shkollave dhe ndërlidhjes së profesioneve të ofruara me tregun e punës, të përmirësojë ngritjen e cilësisë në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme