Google ADS

Dyshimet për tri vdekje në QKUK – Të akuzuarit mungojnë

17:54 | 26 Maj 2019
Arbresh.info

Ende nuk është zbardhur rasti i tri vdekjeve të dyshimta e që kanë ndodhur në sallat e operacionit në QKUK gjatë shtatorit të vitit 2017.

Hetuesia kosovare nuk po arrin që t’i zbardhë rrethanat e këtyre vdekjeve të pacientëve. Mostrat e gazit tashmë janë dërguar në Gjermani. Por se kur do të kthehen ato në Kosovë s’e di askush.

Tre persona që po operoheshin në shtator të vitit 2017 kishin vdekur në sallat e operacionit të QKUK-së. Arsyet që çuan deri te vdekjet e këtyre personave mbeten ende të paqarta. Ndonëse kanë kaluar gati dy vite që prej kur kanë ndodhur këto vdekje, organet e hetuesisë kosovare nuk kanë mundur të hedhin dritë mbi këtë rast.

Nga prokuroria e shtetit po deklarojnë se rasti është nën hetime si dhe duhen bërë ekspertiza jashtë shtetit për këtë punë.

Analizat e gazit oksidul i cili ishte përdorur gjatë operacionit janë dërguar për në Gjermani para një muaji nga ana e prokurorisë. Ato pritet që së shpejti t’i kthehen Kosovës.

Kështu ka konfirmuar të mërkurën për gazetënexpress, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymër Beka. Ai thotë se gjatë javëve në vazhdim, kjo ekspertizë do të kthehet në Kosovë me rezultate.

“Mund të ju konfirmojë se rastin ende jemi duke e hetuar. E reja është që ekspertizën me analizat e Gazit Oksidul e kemi dërguar për në Gjermani për analizë. Po presim që në vazhdim t’i kemi rezultatet e nevojshme”, ka deklaruar Beka.

Por Beka deklaroi se në bazë të informacioneve të deritanishme që prokuroria e shtetit i posedon, ende nuk ka asnjë informatë se çka çoi në vdekjen e këtyre tre pacientëve që ndërruan jetë në sallat e operimit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Ai tha se po priten ekspertizat të ndryshme laboratorike, si brenda ashtu dhe jashtë vendit që janë dërguar për këtë punë.

E ndërkohë lidhur me këtë rast Naser Guri, pronar i kompanisë “Bubeari”, është mbajtur në paraburgim pasi është dyshuar që shkaktar i vdekjeve ka qenë gazi oksidul i prodhuar pa licencë, e me të cilin është furnizuar QKUK-ja.

Anëtarë të Bordit të QKUK-së e kanë cilësuar këtë rast si misterioz, derisa kanë treguar se kanë ndërruar kompaninë e cila e furnizon QKUK-në me gaz. Ndërsa anëtarë të Komisionit për Shëndetësi kanë thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

Kujtojmë se tre persona që po operoheshin gjatë fillimit të shtatorit të vitit të kaluar kishin vdekur në sallat e operacionit të QKUK’së. Arsyet e humbjes së jetës së këtyre personave ende janë të paqarta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme