“Bizneset i kanë borxh ATK-së afro 350 milionë euro”

16:42 | 26 Maj 2019
Arbresh.info

Biznese të ndryshme i kanë mbetur borxh Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 350 milionë euro, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Murtezaj. Ai në këtë intervistë flet edhe për grumbullimin e tatimeve në pjesën veriore të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Murtezaj, ne Kosovë vazhdimisht temë debati ka qenë mospërmbushja e obligimeve tatimore të bizneseve. Sa është shuma e borxhit që llogaritet që kanë kompanitë private dhe ato publike ndaj Administratës Tatimore të Kosovës?

Ilir Murtezaj: Në Administratën Tatimore të Kosovës në kontinuitet kemi pasur borxhe të pambledhura si institucion, ku tatimpaguesit e ndryshëm që kanë pasur vështirësi financiare, kanë mbetur borxh ndaj ATK-së. Aktualisht, shuma e borxhit që bizneset kanë ndaj ATK-së është rreth 350 milionë euro, shumë kjo përtej limitit të lejuara ndërkombëtare. Dhe në këtë drejtim, ne kemi bërë sforcimet tona për të respektuar ligjin fillimisht, pastaj edhe për të inkasuar këto borxhe.

Po, thuajse për 10 vjet radhazi nuk kemi pasur masa të konfiskimit, ndërsa vetëm në dy muajt e fundit, si rezultat i veprimeve shtesë që kemi realizuar, kemi zhvilluar 110 raste të proceseve të konfiskimeve, raste këto që kanë rezultuar me inkasim të borxheve në vlerë prej 2.6 milionë eurosh. Ky proces do të vazhdojë edhe më fuqishëm në drejtim të realizimit ose inkasimit të borxheve të papaguara.

E gjithë pasuria që mund të jetë e tatimpaguesit, me ligj ne e kemi të lejuar të konfiskojmë atë pasuri (çfarë do qoftë ajo, pajisje, inventar apo edhe mall për konsum), me qëllim të shlyerjes ose kompensimin me borxhin që kanë ndaj ATK-së.

Radio Evropa e Lirë: Sa llogaritet të jetë ekonomia joligjore në tregun e Kosovës dhe sa është vlera financiare?

Ilir Murtezaj: Kemi matjet të ndryshme të cilat janë bërë në Kosovë nga institucione të ndryshme ose organizata ndërkombëtare, të cilat japin shifra të ndryshme të evazionit fiskal ose ekonomisë se zezë dhe të hirtë. Matjet e fundit të cilat kanë qenë, rezultojnë në një shkallë mbi 30 për qind të ekonomisë së zezë dhe rreth 28 për qind të ekonomisë së hirtë. Por, sa janë reale, është një çështje që duhet të ketë ekspertë të fushës dhe të konstatohen sepse ato matje bëhen më një lloji mostre dhe jo që është 100 për qind e faktuar ajo pjesë.

Por, si do që të jetë edhe nëse është 30 ose 28 për qind është nivel shumë i lartë. Në realitet jemi në gjendje të njëjtë me vendet e rajonit, por jemi shumë larg me vendet e zhvilluara. Kështu që në këtë drejtim, ne si institucion jemi duke bërë veprime të përditshme në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale.

Së fundmi, në kuadër të Qeverisë së Kosovës është miratuar Strategjia për Luftimin e Ekonomisë Joformale, e cila përfshin të gjithë akterët zbatues të ligjit, që duhet të punojnë në këtë drejtim për të zvogëluar apo luftuar ekonominë joformale.

Ekonomia joformale dihet që nuk mund të luftohet vetëm nga Administrata Tatimore e Kosovës, por në bashkëpunim edhe me organet tjera relevante si: Policia, Dogana, Prokuroria dhe akterët tjerë zbatues të ligjit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Murtezaj, pjesa veriore e Kosovës është përmendur vazhdimisht nga institucionet zyrtare si hapësirë ku më lehtë zhvillohet kontrabanda dhe ekonomia joligjore me mallra. Është vërejtur ndonjë rritje ekonomisë joligjore që nga zbatimi i taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat me orgjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina?

Ilir Murtezaj: Çështja e kontrabandës, siç dihet menaxhimi i kufijve është kompetencë e Doganës se Kosovës, kurse në brendi të saj është në kompetencën e Administratës Tatimore të Kosovës.

Ne nuk kemi indikacione që tregojnë se ka rritje të shmangies tatimore në pjesën veriore të Kosovës, ka pasur edhe më herët ka edhe tash. Siç dihet është një pjesë e territorit të Kosovës, e cila ndoshta më me vështirësi edhe menaxhohet edhe nga zyrtarët tanë. Edhe pse kemi zyrtarë të cilët operojnë edhe në pjesën veriore, janë inspektorët tatimorë nga komuniteti serb, por edhe nga komuniteti shqiptar, të cilët veprojnë në terren.

Nuk është një gjendje e kënaqshme. Aktualisht kemi 1100 biznese të regjistruara nga pjesa veriore. Por, sigurisht që nuk është numri real i bizneseve që zhvillojnë aktivitet në atë pjesë. Ne në vazhdimësi zhvillojmë monitorim të pjesës së pagesës së tatimeve nga ajo pjesë e Kosovës, por të themi të drejtën, duhet edhe më tutje të punojmë dhe të shtojmë angazhimet në mënyrë që ta zvogëlojmë mundësinë e keqpërdorimeve, kushdo qoftë ai biznes, i komunitetit shqiptar apo serb.

Radio Evropa e Lirë: Administrata Tatimore e Kosovës është një nga institucionet kryesore për mbushjen e buxhetit. Sa është vlera e mjeteve të grumbulluara deri më tani dhe a mendoni se do të arrini projeksionet e kërkuara nga Qeveria për këtë vit?

Ilir Murtezaj: Në realitet, në këtë vit kemi një rritje të planit të dyfishuar në raport me planin e vitit të kaluar, kemi një rritje rreth 16 për qind, e që në vlera nominale është mbi gjysmë miliardi euro apo saktësisht 516 milionë euro.

Në katër muajit e parë kemi inkasuar rreth 180 milionë euro, që është 9 për qind ose 15 milionë euro më tepër se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Jemi në trend të mirë, presim dhe jemi shumë të fuqishëm që deri në fund të vitit të arrijmë objektivat që është një vlerë shumë ambicioze, por shpresojmë dhe besojmë që do t’i realizojmë.

Radio Evropa e Lirë: Tashmë është në proces ndryshimi i Ligjit për Tatimin për Vlerën e Shtuar, i cili do të mundësojë mbledhjen e këtij tatimi brenda në treg dhe jo në Dogana siç ndodh aktualisht. Sa jeni të përgatitur për zbatimin e këtij ligji.

Ilir Murtezaj: Po, ky ligj në Kuvend ka kaluar leximin e parë, tashmë pritet edhe leximi i dytë dhe konfirmimi si ligj i zbatueshëm në Kosovë. Ne si ATK jemi të përgatitur. Në këtë ligj parashihet që përmes akteve nënligjore të bëhet përshkrimi ose çështja e zbatimit të tij të shkojë nëpër faza.

Nuk do të jetë një veprim i menjëhershëm, sepse është sfidë edhe për Qeverinë edhe për Administratën Tatimore, që një mundësi që mjetet të grumbullohen në kufi, është proces më i lehtë sesa procesi i mbledhjes së mjeteve brenda tregut. Mirëpo këtu planifikohen, të shkohet faza – faza duke involvuar kategori të ndryshme të biznesit, të cilat fillimisht janë me potencial më te vogël të rriskut për buxhetin e shtetit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme