Google ADS

Si të shmangni sa më shumë rrudhosjen e rrobave kur paketoni një valixhe

09:08 | 26 Maj 2019
Arbresh.info

Të shkosh me pushime është FANTASTIKE! Të bësh gati bagazhet… epo, jo edhe aq.

Ka gjithmonë një gjë që e ke harruar, disa të tjera që (siç e kupton më vonë) nuk të hynë fare në punë, vendi asnjëherë nuk i nxë të gjitha. Dilemat e përhershme…dhe ja ku gjendesh, mbrëmjen para nisjes, me çantat e hapura nëpër dysheme (sa me zor gjen vend për të kaluar) dhe krevatin e mbuluar nga rrobat. Përpara se stresi t’ju ketë rrëmbyer emocionet e nisjes me pushime, lexoni këshillat e ekspertëve të paketimit. Ndoshta nuk ju ofrojnë zgjidhje për çdo situatë, por për një pjesë të mirë të tyre, po.

Gjithsesi, valixhet jeni gjithmonë ju që duhet t’i bëni gati! Sipas ekspertëve të paketimit, as palosja në formë kuadrati, as ajo në formë ruloni, nuk garanton një rezultat pa rrudha, në rast se rrobat palosen secila më vete. Sekreti qëndron në mënyrën e renditjes njëra mbi tjetrën dhe të krijimit të asaj që ata e quajnë “qendra”. Le ta shpjegojmë më konkretisht:

• Fillimisht siguroni një vend të sheshtë e me hapësirë të konsiderueshme, që mund të ishte shumë mirë krevati juaj.

• Si qendër do të shërbente shumë mirë një jastëk në formë katrore ose drejtkëndore (ose një nga ata me fryrje për në plazh), apo një çantë tualeti që duhet ta mbushni fillimisht me gjëra të tjera, si çorape, rroba banje, ndërresa të tjera, etj, madhësia e të cilave varion në bazë të përmasave të valixhes suaj.

• Filloni të vini të gjitha veshjet njëra mbi tjetrën, në formë shtresash, duke u kujdesur që ta sheshoni mirë secilën, sipas formës së vetë natyrale.

• Renditja është kjo: të parat xhaketat, pastaj fundet e gjata apo fustanet, bluzat me mëngë të gjata, bluzat me mëngë të shkurtra, pantallonat e gjata, pantallonat e shkurtra. Mbi këto të fundit vendosni “qendrën”.

• Xhaketat dhe këmishët paketohen gjithmonë të mbërthyera.

• Këmishët vendosen me pjesën e kopsave sipër, ndërsa xhaketat në mënyrë të kundërt, me pjesën e kopsave jashtë.

• Mëngët e xhaketës duhet të palosen në mënyrë diagonale, duke krijuar një formë X-je me bustin.

• Filloni të mbështillni veshjen e shtresës së sipërme rreth qendrës e vijoni më pas deri në veshjen e shtresës së fundit.

• Mos përfshini në këtë lloj paketimi veshje që do t’ju duhen gjatë udhëtimit.

• Qeset e vakumit mund të reduktojnë hapësirën (jo të gjithë ekspertët bien dakord në këtë pikë), por nuk këshillohen për të paketuar çdo lloj veshjeje, sepse shkaktojnë shumë rrudha. E mira është të përdoren për veshje që nuk rrudhosen, ose edhe në rast të tillë, nuk përbëjnë shumë problem, si p.sh. rroba banje, peshqirë plazhi, çorape, etj. Dhe gjithmonë duhet pasur parasysh kthimi: A do të keni një fshesë me korrent në dispozicion?

• Në fund, fiksoni gjithçka me shiritat e brendshëm të valixhes, përndryshe puna juaj do të ishte e kotë.

• Ndërsa lexoni, mund t’ju duket aq e komplikuar sa nuk do t’ia vlente ta merrnit mundimin, por me kalimin e kohës procesi bëhet shumë i thjeshtë dhe rezultati do t’ju shtyjë ta bëni sërish./living.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme