Istrefi: Mjekët u përpoqën gjysmë ore të kthejnë në jetë malazezin i cili ishte i ftuar në një tryezë në Prishtinë

22:48 | 23 Maj 2019
Arbresh.info

Nga Mali i Zi erdhi në Kosovë me ftesë të organizatës “Balkan Forum” për të marrë pjesë në tryezën rajonale ku do të diskutohej për zgjedhjet parlamentare të BE-së dhe implikimet e mundshme të këtyre rezultateve në Kosovë e rajon, por Aleksandër Dedoviç disa orë pasi arriti në Kosovë pësoi një sulm në zemër duke humbur edhe jetën në hotelin që po qëndronte.

Astrit Istrefi, drejtori ekzekutiv i organizatës “Balkan Forum”, tha se përkundër përpjekjeve ekipet mjekësore nuk arritën t’ia shpëtojnë jetën mysafirit nga Mali i Zi.

“Kanë ardhur dy ekipe mjekësore. Fillimisht teknikët e më pas edhe mjekët. Janë munduar t’i japin ndihmën mjekësore, dhe për këto përpjekje ka dëshmi. Për rreth gjysmë ore janë përpjekur ta kthejnë në jetë Aleksandrin por ka qenë e pamundur”, tha për RTV Dukagjinin, Astrit Istrefi.

Për vdekjen e tij më pas janë lajmëruar edhe familjarët të cilët kanë ardhur në Kosovë, ndërsa trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar në mjekësinë ligjore.

“Vdekja është konstatuar brenda hotelit, ndërsa më pas janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe më pas kufoma është dërguar në qendrën mjeko-ligjore në QKUK. Familja është njoftuar menjëherë në kohën kur ka ndërruar jetë Aleksandri”, tregon më tej Astrit Istrefi.

Pas kësaj ngjarje organizata “Balkan Forum” ka anuluar aktivitetin e paraparë ku do të merrte pjesë edhe Aleksandër Dedoviç.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme