Hoti dhe Avdiu u dhurojnë fëmijëve tabela dhe udhëzues për shah

17:13 | 23 Maj 2019
Arbresh.info

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, së bashku me Kryetarin e Federatës së Shahut të Kosovës Nystret Avdiun vizituan institucionin edukativ për fëmijë LET Center.

Gjatë kësaj vizite, përveç udhëheqësve të qendrës ata i takuan edhe fëmijët të cilëve ju dhuruan tabela dhe libra për shah. Koordiantori Hoti tha se vizita të tilla do të ketë edhe nëpër institucione tjera edukative.

“Kjo është vizita e parë e këtij lloji por që nuk do të jetë e vetmja. Në të ardhmen do t’i vizitojmë edhe institucionet tjera parashkollore në të cilat do t’i promovojmë shahun si një sport shumë të rëndësishëm. Me Programin Nacional për Rininë, nga shtatori i këtij viti, shahu do të jetë pjesë e shkollave të Kosovës dhe të gjithë nxënësit do të kenë mundësinë të garojnë në këtë sport, si në mënyrë individuale ashtu edhe në atë ekipore”, tha Koordinatori Hoti.

Ndërkaq, Kryetari i Federatës së Shahut të Kosovës, Nysret Avdiu foli për rezultatet e bashkëpunimit me Koordinatorin Hoti.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes tripalëshe me KNKRS dhe Unionin Evropian të Shahut, ata na kanë ofruar mundësinë e trajnimit të mësimdhënësve për shah. Mësimdhënësit e trajnuar do të marrin licencë nga Unioni Evropian i Shahut për përgatitje profesionale dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën”, tha Avdiu.

Hoti e Avdiu premtuan se do të vazhdojnë vizitat nëpër shkolla të ndryshme të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme