Google ADS

Fakulteti i Edukimit me program të ri të doktoratës

12:33 | 26 Shtator 2015
Arbresh.info

Në Fakultetin e Edukimit do të këtë për herë të parë një program të akredituar për studimet e doktoratës.

Për përgatitjen e programit të doktoratës Shkencat e Edukimit në Fakultetin e Edukimit, është punuar rreth tre vjet në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Lubjanës, që do jetë edhe bashkë-zbatues i gjeneratës së parë të 15 doktorantëve.

Njëri nga hartuesit e programit, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën, se qëllimi i programit është që të përmbushen nevojat e kuadrove të specializuara në fushën e mësimdhënies.

“Shpresojmë të kemi një grup të parë prej 15 doktorantëve, të cilët pas tre-katër viteve t’i shërbejnë nevojave të shoqërisë, nevojave të universiteteve të reja publike, që kanë drejtime të mësimdhënies e që po ballafaqohen me mungesë të madhe të stafit akademik të kualifikuar, sidomos tek Fakultetet e Edukimit, nevojave tona si fakultet dhe të Ministrisë e institucioneve të tjera edukative të vendit.”

Veselaj theksoi se ky program përmban dy fusha kryesore, që janë shkencat e edukimit si dhe fusha e mësimdhënies.

“Ne sot po ballafaqohemi me mungesë të madhe të mësimdhënësve të fushave lëndore me begraund edukimi. Kemi profesorë që janë shumë të mirë në fushat e tyre akademike, por që për të qenë një profesor në edukim duhet ta kesh prapa edhe një komponentë të theksuar didaktike. Nuk është vetëm qasja akademike, por edhe sa më mirë t’i trajnojnë studentët që njohuritë akademike t’i përcjellin tek nxënësit.”

Për gjeneratën e parë prej 15 doktorantëve, do të ligjërojë dhe mentorojë stafi i Fakultetit të Edukimit si nga një profesor i Universitetit të Lubjanës . Pritet që brenda këtij viti të bëhen përgatitjet, në mënyrë që studentët të fillojnë ligjëratat në programin e doktoratës Shkencat e Edukimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme