Telekomi do që Qeveria t’ia kthejë 15 milionë euro

23:24 | 22 Maj 2019
Arbresh.info

E përballur me kërcënimin e vazhdueshëm për falimentim, ndërmarrja publike Telekomi i Kosovës, ka kërkuar miliona nga Qeveria.

Për këtë, ka vendosur ta përfshijë edhe ish-qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.

Kohavisioni ka siguruar letrën që Bordi i Telekomit ka dërguar këtë të mërkurë, në adresë të ministrit të Financave, Bedri Hamza, raporton KTV.

Në letrën e dërguar nga kryesuesja e Bordit, Besa Shatri-Shahini, thuhet se 4 vjet pas, Bordi ka ardhur në dijeni që dividenta e paguar në vitin 2015 nga Telekomi për Qeverinë, ka ndodhur nëpërmjet një vendimi joligjor.

Aty thuhet se nëpërmjet një vendimi të 24 marsit të vitit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa, është kërkuar që Telekomi të paguajë 30 milionë euro dividentë, kurse nëpërmjet një letre të 7 gushtit 2015, ministri i Financave, Avdullah Hoti, e kishte obliguar Telekomin që ta paguajë dividentën.

“Bazuar në pasqyrat financiare dhe Raportin e Auditorit të Pavarur, Telekomi i Kosovës SH. A., më dhe për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015, del se Telekomi ka operuar me humbje për vitin fiskal 2015, rrjedhimisht pa mundësi financiare për deklarimin e pasurisë dhe pagesën e dividentës. Rrjedhimisht, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës numër 17/20 të datës 24.03.2015, nënshkruar nga ana e z. Isa Mustafa dhe gjithashtu kërkesa e zv. Avdullah Hoti në cilësinë e ministrit të Financave, nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në letrën e Bordit.

Zonja Shatri-Berisha vjen në përfundimin se Telekomi është detyruar nga ana e Qeverisë së Kosovës të deklarojë dhe paguajë dividentë në kundërshtim me ligjin në fuqi, për shkak se operonte me humbje.

Prandaj, Bordi i kërkon Qeverisë mirëkuptim për kthimin e 15 milionë eurove sa kishte paguar Telekomi, sepse beson se Qeveria i pranoi ato pa bazë ligjore.

Ndërkohë, ish-ministri i Financave në Qeverinë e Mustafës, Avdullah Hoti, i ka thënë KTV-së se kërkesa e Telekomit për kthimin e dividentës është absurde dhe i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos përdorë taksat e qytetarëve për t’i paguar dështimet e menaxhmentit.

“Telekomit i është kërkuar pagesa e dividentës më 2015, me vendim të Qeverisë, e cila është aksionare e Telekomit. Si ka mundësi që atëherë, Telekomi e paska zbatuar një vendim joligjor? Prandaj, kjo kërkesë e Bordit te Telekomit, në formën si është shtruar për kthim të dividentës, është absurde. Nuk mundet dhe nuk duhet që Qeveria me taksa të qytetarëve t’i paguajë dështimet e menaxhmentit dhe Bordit të Telekomit për të operuar me fitim, në një treg të rregulluar dhe garantuar për Telekomin”.

Një komision hetimor parlamentar është krijuar për ta hetuar gjendjen e rëndë në Telekom, pas raportimeve të KTV-së për punësimin e së paku 230 personave, kryesisht militantë të AAK-së, NISMA-s e PDK-së, brenda një viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme