Google ADS

Nëna lë foshnjën disaditëshe në Spitalin e Pejës dhe ikën

15:23 | 22 Maj 2019
L G

Gruaja që para disa ditësh ka sjellur në jetë foshnjën e saj të gjinisë mashkullore, e ka përgatitur terenin për ta braktisur fshehurazi. Të hënën kjo nënë ka shkuar në Spitalin e Pejës kinse për ta kontrolluar beben, por gjatë kontrollës ka ikur, në këtë mënyrë edhe e ka braktisur.

Një bebe është braktisur të hënën nga nëna e saj. Ngjarja ka ndodhur në Spitalin e Pejës ku gjatë kontrollës së foshnjës ajo ka ikur. Dyshohet se doktorëve u ka dhënë identitet të rrejshëm, megjithatë të gjitha veprimet e saj janë filmuar nga kamerat e sigurisë së spitalit përmes së cilave policia dhe prokuroria po shpresojnë që të ja zbulojnë sa më shpejt identitetin, nënës që nuk e deshi foshnjën e saj.

Këtë rast  e ka konfirmuar Spitali i Pejës dhe Prokuroria.

Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, tha se kjo grua nuk dihet se ku ka lindur sepse nuk ka qenë paciente e spitalit të Pejës.

“Një grua ka sjellë një foshnje ditën e hënë për kontroll duke deklaruar s’e ka lindur para dy ditëve. Përderisa stafi ka qenë duke u marre me beben ajo ka ikur. Nuk ka lindur tek ne por e ka sjell beben dhe ka ikur”, tha Sahiti.

Pasi nëna e ka braktisur foshnjën, stafi i spitalit e ka njoftuar policinë, ndërsa beben e kanë dërguar në QKU.

“Policia është thirrë menjëherë dhe është duke u marrë me rastin. Foshnja pasi është trajtu tek ne është dërguar më vone në QKUK. Policia është duke e hetuar rastin sepse ajo nuk ka lindur tek ne dhe ne nuk e dimë as emrin e as moshën”, përfundoi Sahiti.

Me nënën që braktisi foshnjën po merret edhe Prokuroria e Pejës. Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se po punohet intensivisht për ta zbuluar identitetin e saj.

“Me datë 20 maj, Prokuroria Themelore e Pejës është informuar nga Stacioni Policor i Pejës, se në Spitalin Rajonal të Pejës, përkatësisht në repartin e Gjinekologjisë, një grua ka ardhur me një fëmijë të sapo lindur, e cila me pas ka braktisur fëmijën dhe është larguar nga spitali. Prokuroria Themelore e Pejës, ka urdhëruar Policinë e Kosovës për identifikimin e të dyshuarës, dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për ndriçimin e kësaj çështje”, tha Nikçi, për Gazetën Express.

Për gjendjen shëndetësore të foshnjën Express ka tentuar të bisedojë me Drejtorin e Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, por ai nuk i është përgjigjur telefonatave.

Numër jo i vogël i foshnjave braktisën brenda një viti në Kosovë. Ndër shkaqet kryesore që këto nëna të reja braktisin fëmijët janë kushtet sociale dhe ekonomike, por edhe mospajtimi mes çiftit dhe familjes së vajzave për t’i mbajtur këta fëmijë.

Ndërsa, muajin e kaluar, një nënë nga Prizreni ka bërë një veprim edhe më të rëndë se braktisja, pasi ka lindur në shtëpi dyshohet se e ka mbytur me rroba foshnjën e saj. Ajo është arrestuar dhe gjykata i ka caktuar paraburgim. /Gazeta Express

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme