Euro zbret në nivelin më të ulët në 11 vjet, vetëm 122.61 lekë

09:38 | 22 Maj 2019
Arbresh.info

Monedha e përbashkët ka humbur sërish pikë në tregun e brendshëm valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje (21 maj) me 122.61 lekë, duke rënë me 0.23 lekë në raport me ditën e mëparshëm, që këmbyer në nivelin më të ulët nga dhjetori 2008.

Ekspertët e këmbimit valutor shpjegojnë ka disa arsye për nënçmimin e monedhës së përbashkët në tregun vendas.

Tendenca rënëse euros e javëve të fundit po ndikohet nga kushtet atmosferike, të cilat kanë ulur qarkullimin e biznesit, por edhe nga kriza politike ku është zhytur vendi, e cila është reflektuar te rënia e konsumit. Rënia e parasë në qarkullim dhe oferta e lartë në valutë ka bërë që euro të shënojë rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.

Ndër të tjera, ekspertët shtojnë në dy ditët e fundit, njëra nga bankat e nivelit të dytë po shet euro në treg poshtë nivelit të kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Ky është një tjetër rekord i ri minimal, teksa euro ka zbritur sot në nivelin më të ulët në 11 vjet, që prej dhjetorit të vitit 2008, kur këmbehej me 122.5 lekë, për t’u forcuar më pas ndjeshëm, duke u ngjitur në nivele rekord prej gati 143 lekësh në qershor 2011.

Më pas, euro është dobësuar gradualisht, por nënçmimi i monedhës së përbashkët u përshpejtua vitet e fundit. Që nga mesi i vitit 2016, euro ka humbur vazhdimisht pikë

Gjatë ditës së djeshme rënia e euros tërhoqi të gjitha valutat e tjera. Në tregun vendas dollari amerikan u këmbye me 109.93 lekë, rreth 0.09 pikë më pak se dje. Po ashtu, edhe paundi, është nënçmuar ndaj lekut me 0.73 pikë, duke u këmbyer në nivelin e 139.5 lekësh.

Referuar kursit mesatar ditor të Bankës së Shqipërisë, franga zvicerane u këmbye me 108.86 lekë, rreth 0.21 pikë më pak se një ditë më parë/Monitor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme