Zjarr vëniet e prerjet ilegale të pyjeve në Kosovë janë një dukuri mjaft e shprehur viteve të fundit. Sipërfaqe të mëdha me pyje janë dëmtuar e po dëmtohen pavarësisht faktit që pyjet publike në Kosovë janë resurse kombëtare dhe mbrohen me ligj.
Shkretërimi dhe vjedhja e pyjeve janë vepra penale për të cilat mund të jepen dënime edhe me burg. Ndërkohë numri i inspektorëve për këtë çështje, po konsiderohet i vogël
1253 hektarë pyje janë dëmtuar vetëm nga zjarret pyjore në tre muajt e parë të këtij viti, ka bërë të ditur Agjencia e Pyjeve të Kosovës për “Zeri.info”.
Sa i përket prerjeve ilegale, nga kjo agjenci e cila është përgjegjëse për çështjet e ndërlidhura me rregullimin e pyjeve dhe tokave pyjore, administrimin dhe menaxhimin e tokave pyjore publike dhe pyjeve në Parqet Nacionale në Kosovë, nuk janë dhënë të dhëna. Ata kanë theksuar se ato nuk janë të kompletuara pasi që regjistrimet bëhen në fundvit.
“Zeri.info” ka siguruar të dhëna edhe për vitet e kaluara. Për vitin 2017 sipas dikasterit që vepron në kuadër të ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural janë dëmtuar 2055 hektarë pyje kurse vitin e kaluar gjithsej 949 hektarë. Ndërsa, sa i përket prerjeve ilegale, gjatë vitit 2017 kanë bërë të ditur se janë lëshuar 5648 fletëparaqitje për dëm në 12589 metër kub për personat që kanë prerë pyjet ilegalisht ndërsa 5046 për 14018 metra kub dëm janë lëshuar vitin e kaluar.
Shkretërimi dhe vjedhja e pyllit janë vepra penale sipas Kodit Penal të Kosovës . Neni 357 “Shkretërimi i pyjeve” thekson se kushdo që në kundërshtim me ligjin ose urdhrin e organit kompetent, bën prerjen apo shkatërrimin e pyllit ose në ndonjë mënyrë tjetër shkretëron pyjet, dënohet me gjobë ose deri në dy vjet burgim. Nëse ky dëmtim bëhet në pyllin e mbrojtur, dënimi parashihet me gjobë deri në tri vjet burgim.
Ndërsa neni 358 “Vjedhja e pyllit” thekson që kushdo që me qëllim të vjedhjes pret trungjet në pyll dhe sasia e drunjve të prerë kalon dy metra kub, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po ashtu theksohet se nëse vepra penale kryhet me qëllim që drunjtë e prerë të shiten; nëse sasia e drunjve të prerë është mbi pesë metra kub; ose nëse vepra penale është kryer në pyllin e mbrojtur, në parkun e mbrojtur apo në pyllin tjetër me destinim të posaçëm, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Agjensioni dhe as Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje për dënimet potenciale që mund të jenë shqiptuar për personat që kanë dëmtuar pyjet.
Sa i përket rajoneve, për nga zjarret pyjore nga ky dikaster kanë bërë të ditur më të prekura kanë qenë ana e Mitrovicës dhe Prishtinës ndërsa për dëmtim të pyjeve pjesa e Ferizajit , Podujevës, Mitrovicës, Deçanit dhe Prizrenit.
Nga APK-ja kanë bërë se inspektorati që funksionon në kuadër të tyre ka 11 inspektorë: drejtorin, shefin e sektorit për inspektim dhe 9 inspektorë për sektorin e pylltarisë. Por, ata për “Zeri.info” kanë thënë se ky numër është i vogël
“Duke marrë parasysh fushvëeprimtarinë e gjerë qe ka ky Inspektorat referuar, numri prej 11 Inspektorëve në raport me aktivitetet qe kanë është shumë i vogël”, ka thënë Naser Krasniqi nga APK-ja.
Ai ka dhënë edhe arsyet pse ky numër sipas tij është i vogël. “ Inspektorati bën konrollimin dhe Inspektimin e të gjitha veprimeve dhe veprimtarive që kryhen në pyje dhe toka pyjore si: Kontrollimin e implementimit të planeve menaxhuese afatgjata, vjetore, operacionale, planet e reprodukimit bilogjik të thjesht dhe të zgjeruar, planet e mbrojtjes se pyjeve si dhe përmbushjen e obligimeve nga zyrtarët kompetent, librat e evidencave, ndalon prerjet dhe te gjitha aktivitetet tjera të cilat nuk janë në pajtueshmeri me ligjet dhe aktet tjera nënligjore nga lëmia e pylltarisë. Kontrollon shfrytëzimin e ngastrave pyjore si dhe te gjitha vendet ku druri prehet, vendoset, perpunohet, tërhiqet nga pylli ose vëhet në qarkullim, konstaton gjendjen shendetësore të pyjeve dhe obligon marrjen e masave”, ka deklaruar Krasniqi.
“ Po ashtu kontrollon qarkullimin e masës drunore, sekuestron nëse është pa dokumentacion- prejardhje. Kontrollon planet e mbrojtjes nga zjarret, Kontrollon subjektet qe merren me përpunimin primar të drurit. Kontrollon shfrytëzimin e produkteve jo drunore në pyje dhe toka pyjore, gurët, zhavorin, frutat pyjore, bimët mjekësore dhe aromatike, etj. Inspekton përdorimin dhe administrimin e tokave pyjore si dhe dhënien me qira”, ka shtuar ai.
Sipas inventarizimit të fundit të vitit 2012 Kosova ka 481,000 ha pyje. Prej tyre, Pyje Publike janë 295,200 hektarë, Pyje Private 180,800 ndërsa sipërfaqe e panjohur-5000 hektarë.
Arioni surprizohet nga motra e tij në Big Brother, ja takimi...
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...