Google ADS

Luftëtarët kibernetikë” të SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut

15:47 | 21 Maj 2019
L G

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar bashkëpunimin me komandën kibernetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas informacionit të ditës së hënë se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa kundër sulmeve të internetit (kibernetike) ndaj demokracisë dhe institucioneve demokratike në disa shtete të Evropës Lindore, në mesin e të cilave është edhe Maqedonia e Veriut, shkruan REL.

Në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se bashkëpunimi me komandën kibernetike amerikane ka nisur në vitin 2018, me qëllim që t’u ndihmohet subjekteve kompetente nga Ministria e Mbrojtjes për arritjen e standardeve të NATO-s në këtë sferë.

“Me ndihmën e ekspertëve është shqyrtuar gjendja lidhur me rrjetin e apostrofuar për qasje në internet dhe në bazë të ekspertizës së bërë janë ndërmarrë masa për përmirësimin dhe mbrojtjen e rrjetit informatikë të Ministrisë së Mbrojtjes nga aktivitetet e padëshiruara”, thonë nga ky dikaster, duke u përgjigjur nëse janë pjesë e planit aksional të komandës kibernetike të SHBA-së në rritjen e sigurisë kibernetike dhe sulmeve ndaj internetit.

Sipas informacioneve që janë konfirmuar edhe nga ambasada amerikane në Mal të Zi , SHBA-ja po vendos të ashtuquajturit “luftëtarë kibernetikë” në disa shtete të saj mike në Evropën Lindore, si në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Ukrainë, që t’i “ndihmojnë në përballjen me sulmet e vazhdueshme dhe kërcënimet kibernetike ndaj demokracisë”.

“Komanda kibernetike amerikane që kontrollon operacionet në hapësirën kibernetike për mbrojtjen e interesave amerikane, po bashkëpunon me autoritetet e këtyre vendeve që t’i pengojë kërcënimet potenciale. Komanda amerikane evropiane dhe komanda kibernetike amerikane bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s”, kanë deklaruar për BIRN nga ambasada amerikane në Mal të Zi, por pa saktësuar detaje tjera.

Kohë më parë, sipas portalit të specializuar “SaberScoop”, gjenerali amerikan Timothy Haugh, komandant i forcave të misionit kombëtar të komandës kibernetike, kishte deklaruar se si pjesë e operacionit të koduar “Teologjia sintetike”, komanda ka vendosur “luftëtarë kibernetikë” në Ukrainë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, që të ndihmojë këto vende që të “mbrohen dhe të mblidhen të dhëna për armiqtë”.

Sipas profesorit të sigurisë në universitetin Fon të Shkupit, Bashkim Selmani, sulmet kibernetike dhe kërcënimet e këtij lloji paraqesin “terrorizëm bashkëkohor” mes shteteve dhe se nga këto sulme nuk përjashtohet as Maqedonia e Veriut.

“Është fakt se nëse analizohet funksionaliteti i këtij vendi, në këtë vakum që ka pasur si një shtet i ndjeshëm sa i përket problemeve si brenda ashtu edhe jashtë, tash po i paraqitet edhe sulmi i radhës Maqedonisë së Veriut, apo sulmet kibernetike. Realisht dyshohet se ato vijnë nga Rusia, megjithatë ato nuk mund të argumentohen, por duke e ditur synimin e saj për anëtarësim në NATO dhe BE, ajo ende më shumë do të jetë e rrezikuar në këtë formë të sulmeve”, thotë Selmani.

Sipas Selmanit, Maqedonia e Veriut nuk është aq e përgatitur që të përballet me këto sulme, andaj edhe është e logjikshme të kërkojë ndihmë.

Në raportin e “SaberScoop” thuhet se SHBA-ja ka synuar “që të mënyrë aktive të pengojë përzierjen eventuale në zgjedhje nga vendet si Rusia”.

Në kontekst të kërcënimit të sigurisë kibernetike janë edhe zgjedhjet presidenciale amerikane dhe hetimi për përzierjen e mundshme ruse. Në këtë hartë është edhe Maqedonia e Veriut me lajmet e rreme nga qytetit i Velesit në mbështetje të Donald Trump.

Edhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg kishte përmendur Maqedoninë e Veriut si burim të lajmeve të rreme dhe kjo çoi që më vonë Facebook të mbyllë 212 faqe interneti në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, për shpërndarje të materialit në kundërshtim me politikat e kompanisë./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme