LDK tani mosmarrëveshje edhe në Gjilan

19:11 | 20 Maj 2019
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), procesin zgjedhor brenda partisë si duket po e kalon me shumë përplasje mes anëtarëve të degëve. Dje gjatë ditës ka ndodhë një përleshje në Mitrovicë, ndërsa Periskopi merr vesh se edhe në Gjilan punët nuk janë hiç më mirë.

Në nëndegën e fshatit Përlepnicë ka pasur mosmarrëveshje mes anëtareve të kësaj dege, por nuk ka eskaluar situata si në Mitrovicë.

Besfort Fazliu, kryetari i forumit rinor në Përlepnicë, thotë se zgjedhjet e nëndegës së LDK-së në këtë fshat janë përcjell me parregullsi dhe manipulime dhe se janë bërë pazare me dijeninë e Qendrës në Gjilan.

Nga këto pazare siç i quan Fazliu ai për Periskopin bën të ditur se ka dhënë dorëheqje.

“Unë pata mundësinë të bëhem pjesë e pazareve politike, mirëpo nuk është në kulturën time që të bëjë pazare natën dhe t’i zbatoj ditën. Gjatë procesit zgjedhor në disa raste kandidatja Shkendije Xhelili-Avdiu zgjohet disa herë në këmbë dhe merr rolin e drejtueses pa e pasur atë të drejtë, duke lexuar rregulloret mirëpo ngec në nenin 4 ku filluan nga aty t’i shkelin të gjitha rregullat e procesit zgjedhor dhe nga aty filluan pazaret prapa karrigeve, dhe unë tërhoqa kandidaturën time bashkë me votuesit e mi ku nga 152 votues mbetën vetëm 50 brenda. Edhe pse jam dorëhequr nga kryetari i forumit rinor bashkë me 70 të rinjë bashk me familjet e tyre, ne s’do të ndalemi të punojmë për njerëzit e ndershëm të kësaj partie”, thotë Fazliu për Periskopin

Fazliu gjithashtu tregon se çfarë i kanë ofruar në këmbim të heqjes së kandidaturës për kryetar të nëndegës.

“Më kanë ofruar që të tërhiqem nga kandidatura për kryetar nëndege dhe të mbes kryetar i forumit rinor. Pazaret i bënë ish kryetari i emëruar Nazim Rrustemi duke u tërhequr nga kandidatura për të marrë pozitën e delegatit dhe duke mbetur e vetme kandidatja Shkendije Xhelili-Avdiu për tu emëruar pastaj në mënyrë ilegale si kryetare e kësaj nendege. Pra këtu kan bërë pazare Nazim Rrustemi bashkë me Shkendije Avdiun vetëm që unë mos të jem kryetar i kësaj partie. Ata kanë qenë të drejtuar nga dega në Gjilan”, ka deklaruar Fazliu.

Ai thotë që procesi zgjedhor do të shkoj në rregull, por shton se edhe njëherë u tregua se siç thotë “profiterët nuk janë gati të tërhiqen”.

Kujtojmë se të dielen një përleshje fizike ka ndodhur gjatë Kuvendit Zgjedhor në Degën e LDK’së në Mitrovicë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme