Kush e kontrollon naftën e Venezuelës?

01:27 | 20 Maj 2019
Trina Galanxhi

E ardhmja e Venezuelës hedh valle pranë një humnere, pasi presidenti i saj vazhdon të kundërshtojë një lëvizje kombëtare për ndryshimin e regjimit.

Edhe nëse Presidenti Nikolas Maduro konsolidon pushtetin e tij, ose udhëheqësi i opozitës Juan Guaido merr kontrollin e qeverisë, fati i vendit përcaktohet nga përgjigja e një pyetje: “Kush do e marrë naftën e Venezuelës?”

Rëndësia e kësaj pyetjeje u bë edhe më e qartë muajin e kaluar, kur Guaido, Presidenti i Asamblesë Kombëtare, nuk arriti të bindë ushtrinë për të mos iu përgjigjur urdhrave të Maduro-s.

Për të mbështetur Guaidon, Shtetet e Bashkuara kanë filluar një seri sanksionesh për të penguar shitjet e naftës së Maduross nga kompania shtetërore PDVSA, që ai kontrollon, dhe për t’i drejtuar paratë në llogaritë e kontrolluara nga Guaido.

Ndërkohë, dy kreditorët më të mëdhenj të Venezuelës, Kina dhe Rusia, po përkrahin Maduron dhe po ruajnë atë që ai i ka borxh, naftën. Kuba gjithashtu e ka forcuar pozitën e saj duke dërguar mijëra forca sigurie në këmbim të naftës.

Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë. Por ajo gjithashtu ka një borxh të madh ndaj shumë aktorëve ndërkombëtar, dhe përplasja e kreditorëve që kërkojnë të paguhen është faktori kryesor që nxit konfliktin në Venezuelë.

Inflacioni i ashpër e ka bërë monedhën venezueliane praktikisht të pavlefshme, dhe nafta është mjeti kryesor i saj për shlyerjen e kreditorëve. Problemi është se infrastruktura e atjeshme nuk mundet të përpunojë naftën, si rrjedhojë Venezuela nuk paguan dot kreditorët e saj. Prodhimi i fuçive të naftës ka arritur minimumin historik, me 750-mijë fuçi, krahasimisht me 3.5 milion që prodhonte më përpara.

Borxhi total është më shumë se gjashtëfishi i eksporteve vjetore.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, fajëson Rusinë dhe Kinën si kontribuuesit kryesor në falimentimin financiar të Venezuelës. Venezuela i detyrohet Kinës më shumë se 55 miliardë dollarë dhe Rusisë të paktën 17 miliardë dollarë, të cilat duhet t’ia kthejë duke i shkëmbyer me naftë.

Regjimi i Maduros nuk ka ditur se si të ngrejë valutën duke pompuar më shumë naftë për shitje në tregun e hapur, pa shkaktuar klithma nga kreditorët e saj.

Rafineria e naftës Citgo, qendra e së cilës ndodhet në SHBA, ka akumuluar një numër të madh bondesh nga PDVSA për të kontrolluar resurset e naftës në Venezuelë. Megjithatë edhe stoku i Citgo-s është në rrezik për shkak të marrëveshjeve të bëra me kreditorët. Për të garantuar shlyerjen ndaj investitorëve që blenë 7.1 miliardë dollarë në bonot e Citgo, investitorët morën një barrë të prioritare në 50.1 për qind të aksioneve të Citgo-s.

Pjesa e mbetur prej 49.9 për qind e aksioneve Citgoi i është premtuar Rosneft, kompanisë ruse të naftës, në këmbim të një kredie prej 1.5 miliardë dollarësh. Kështu, Maduro nuk ka më kontroll ndaj Citgo, paratë e saj kryesisht shkojnë në llogaritë e Guaido-s.

Njerëzit e Guaidos janë përpjekur të bindin vende si Rusia dhe Kina që një regjim i ri do t’i respektojë pretendimet e tyre mbi naftën në Venezuelë.

Por a mund të jetë kjo e vërtetë?

Nëse Maduro zëvendësohet nga një qeveri e Guaidos, legjitimiteti i shumë marrëveshjeve financiare të negociuara gjatë 20 viteve të fundit nga regjimet e Chavez dhe Maduros mund të sfidohet në procedurat gjyqësore ndërkombëtare, sepse marrëveshjet e borxhit kurrë nuk u miratuan nga Asambleja Kombëtare venezueliane, e konsideruar nga mbështetësit e Guaido-s si i vetmi organ legjitim qeveritar.

Kështu, Venezuela mbetet ende në rrezik, për sa kohë të gjithë kreditorët e përfshirë nuk bëhen pjesë e zgjidhjes.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme