Google ADS

Murtezi: Borxhlinjtë s’i falim më, ekonomia joformale mbi 30 për qind

14:50 | 19 Maj 2019
Arbresh.info

Ligji për Faljen e Borxheve, i cili funksionoi për dy vjet radhazi nga shtatori i vitit 2015, deri në shtator të vitit 2017, u mundësoi bizneseve të cilat kishin vështirësi financiare që të përfitojnë nga ky ligj. Gjatë gjithë kësaj periudhe ATK-ja kishte falur rreth 250 milionë euro.

Por falje të tillë më nuk do të ketë. Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezi në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se ligji i mëhershëm që mundësoi faljen e borxheve ishte efikas, pasi që krahas faljes inkasuan edhe borxhet e grumbulluara.

Ai thotë se më nuk do të ketë falje për bizneset që nuk paguajnë obligimet e tyre karshi ATK-së, madje paralajmëron veprime konkrete për të zbatuar ligjin.

“Nëse e shohim tash nga prizmi që a do të duhet të ketë prapë falje të tilla apo ligj të tillë, mendoj që kjo nuk do të ndodh, sepse kjo i ka dy anët e medaljes, pra edhe anët pozitive edhe negative. Ana negative është sepse ne si shtet nuk jemi të njëjtë ndaj tatimpaguesve që paguajnë në bazë të rregullt detyrimet. Ndërsa ndaj atyre që krijojnë vështirësi dhe nuk paguajnë me rregull i bien sikur të ju krijojmë njëfarë favori. Kështu që ajo praktikë nuk do të ekzistojë më nga ATK-ja, por nëse merret ndonjë vendim nga Kuvendi apo Qeveria është diçka tjetër. Do të ketë veprime më konkrete nga zyrtarët e ATK-së në respektim të Ligjit dhe në mbledhjen e të gjitha detyrimeve të papaguara nga komuniteti i biznesit”, thotë ai.

Ekonomia joformale mbetet ende sfidë për ATK-në, për të cilën drejtori Murtezi thotë se po mundohen të minimizojnë, duke pranuar se çrrënjosja e saj është e pamundur.

Ai thotë se sipas matjeve të disa organizatave ndërkombëtare, ekonomia jo-formale është mbi 30 për qind.

Murtezi kërkon edhe unifikimin e veprimeve me institucionet përkatëse, në mënyrë që të luftojnë këtë dukuri, që sipas tij, po e dëmton ekonominë e vendit.

“Është më e theksuar në pjesën veriore për shkak të gjendjes politike, por ka edhe në të gjithë territorin tjetër të vendit. Pjesa e ekonomisë jo-formale nuk mund të luftohet vetëm nga ATK, por kërkon një unifikim të veprimeve nga të gjithë aktorët zbatues të ligjit siç janë, Policia, Prokuroria, Dogana e Kosovës. Në këtë drejtim vetëm se kemi vënë kontakte dhe jemi zotuar se do të luftojmë këtë dukuri. A është e lehtë, jo, por do të bëjmë çmos që të minimizojmë këtë dukuri. Në këtë drejtim jemi në trend me vendet e rajonit”.

Taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake thotë se nuk ka ndikuar në performancën e ATK-së.

“Taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake nuk është që ka ndikim në ATK, sepse nuk është një fenomen që është në domen të ATK-së, mirëpo bazuar në të dhënat tona nuk ka ndonjë ndryshim. Sepse një produkt që ka ardhur nga Serbia tashmë është zëvendësuar nga Italia apo Shqipëria. Dhe për këtë nuk ka ndonjë efekt në aspektin e tatimit”.

Se taksa nuk ka ndikuar në ATK e tregojnë edhe të hyrat në 4 – mujorin e parë të këtij viti. Madje krahasuar me vitin e kaluar këtë vit ka pasur një rritje të të hyrave prej 16 për qind.

“Të hyrat në 4-mujorin e parë të ATK-së janë 180 mln euro që në raport me përudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 10 për qind dhe jemi në trend të mirë të realizimit të të hyrave dhe besoj se objektivat do të arrihen deri në fund të vitit. Është një plan ambicioz për shkak se për herë të parë kemi një plan mbi gjysmë miliardi euro, më saktë 516 mln euro që është një rritje prej 16 për qind në raport me planin e vitit të kaluar”.

Por në të hyrat e ATK-së do të ndikojë mbyllja e lojërave të fatit. Drejtori Murtezi thotë se nga kjo kategori e bizneseve ndër vite kanë inkasuar 700 deri në 900 mijë euro. Ndërsa në Doganë janë paguar 16 milionë euro.

“Pjesa e ndikimit në të hyrat do të ketë efekt. Kjo kategori e bizneseve ndër vite në ATK ka paguar 700 deri 900 mijë euro tatime të brendshme. Ndërsa në Doganë janë paguar deri 16 mln euro. Deri në datën e skadimit të ligjit kanë qenë të licencuar 46 subjekte të lojërave të fatit, nga to kanë qenë biznese që kanë ushtruar aktivitetin e bastoreve, automatëve dhe bingo. Tashmë të gjitha këtyre bizneseve u janë revokuar licencat dhe nuk kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtaritë e tyre”, thotë ai.

Drejtori i ATK-së, në këtë intervistë dhënë për EkonomiaOnline, foli edhe për Ligjin e ri për TVSH-në, për të cilin thotë se do të lehtësojë dukshëm të bërit biznes në Kosovë.

Sipas tij, ndryshimi më i madh që do të ndodh në Ligjin e ri për TVSH-në është bartja e kompetencës së mbledhjes së TVSH-së nga Dogana në brendësi.

“Është një indikator shumë pozitiv për mundësinë e zhvillimit edhe më të mirë të bizneseve. Ky ligj është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe tashëm është dërguar në Kuvend dhe jemi në pritje të miratimit dhe kalimit të procedurave tjera dhe do të nisë zbatimi nga ATK-ja. Nuk është e lehtë, sepse në kufi ka qenë më e lehtë, sepse në brendi shpërndahet, por prapë se prapë jemi të përgatitur në këtë drejtim. Është sfiduese për shtetit por do të jetë shumë lehtësuese për bizneset”, përfundoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme