Tahiri: S’ka rrezik nga të kthyerit nga Siria

01:16 | 18 Maj 2019
Trina Galanxhi

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se shteti i Kosovës synon që t’i kthejë të gjithë qytetarët e Kosovës nga zonat e luftës në Siri e Irak.

Në Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka treguar për aksionin e kthimit të 110 qytetarëve të Kosovës nga Siria në muajin prill.

“Ka qenë fundi i shtatorit 2018 kur kryeministri më ka mandatuar të koordinoj operacionin për kthimin e shqiptarëve nga Siria. Numri i qytetarëve tanë në ato zona ka rënë shumë. Së fundi e pamë që pat edhe një viktimë që ishte pjesë e një organizate terroriste. Të shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga kjo luftë. Viktimat duhet të rehabilitohen e kriminelët të gjykohen. Përderisa kemi ende njerëz atje, emri i Kosovës do të jetë pjesë e mediumeve ndërkombëtare, për fat të keq për të keq. Fëmijët që i kemi kthyer nuk kanë pasur të ardhme atje. Ose do të bëheshin pjesë e grupeve terroriste, ose viktima, ose do të trafikoheshim. Nuk mund të rrinim indiferentë ndaj fëmijëve tanë, që janë atje pa vullnetin e tyre. Ata janë viktima. Aksioni ka zgjatur rreth 6 muaj me mbështetjen e SHBA-së. 9 prej fëmijëve janë jetimë, pa të dy prindërit. Për një pjesë të tyre shteti ka siguruar strehim. Pjesa e madhe janë në familjet e tyre, ndërsa një pjesë e grave të dyshuar janë në arrest shtëpiak, kurse për ata që kemi prova, janë në burg”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se rreziku nga të kthyerit është analizuar mirë nga AKI-ja, duke thënë se Kosova ka evituar rreziqe shumë më të mëdha sesa të kthyerit nga Siria.

“Kemi bërë një analizë të qartë dhe jam shumë i lumtur që kemi një AKI që në fushën e ndjekjes së terrorizmit është jashtëzakonisht shumë e përgatitur. Ajo analizë është prezantuar tek institucionet dhe ne e kemi të qartë profilin e të gjithëve dhe them se Kosova ka evituar rreziqe shumë më të mëdha. Mendoj që kemi pasur edhe abuzues, për përfitime materiale. Fitim Lladrovci është në arrest. Disa prej tyre kanë shitur intervistat e tyre për mediumet e huaja, në mesin e tyre besoj që është edhe Lladrovci”, tha më tej ministri i Drejtësisë.

Ai tha se ka ende fëmijë në zonat e luftës, por jo edhe në zonën prej nga janë kthyer grupi i parë. Të mbetur në zonat e luftës, sipas Tahirit, janë në kufi me shtetin turk.

“Nuk do të jetë e lehtë t’i nxjerrim nga këto zona. Do të përpiqemi, qofshin ata viktima qofshin terroristë. Nuk lejojmë që qytetarët tanë të jenë kërcënim për botën”, u shpreh Tahiri.

Tha se për aksionin e kthimit të qytetarëve të Kosovës nga zonat e luftës në Siri i kanë informuar edhe shtetet e Quintit.

Tahiri tha se Kadri Veseli është kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së si dhe do të jetë i mandatuar për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme