Google ADS

105 vjeçari nga Vitia që ka agjëruar 96 Ramazana

20:22 | 17 Maj 2019
Arbresh Info

Në moshën 8 vjeçare kishte filluar të agjëronte. Këtë vit është Ramazani i 96-të që po e agjëron, madje ka tre muaj që e ka filluar.

105 vjeçari Nazim Neziri nga fshati Remnik i Vitisë ka thënë se agjërimi i sjellë atij qetësi shpirtërore.

“Tre muaj kam agjëruar. Muajin Shaban, Rexhep dhe tash Ramazanin. Ramazanin e kemi prit hasret. Kur vjen iftari të shtohet jeta. Shtrohet buka, bën iftar falet Akshami, pastaj falet Teravia. Ka dashur Zoti që muslimani të agjërojë”, shprehet për RTV Dukagjinin Nazim Neziri.

Nazim Neziri, tregon se në Muajin e Ramazanit dikur kishte më shumë kënaqësi. Ai ka thënë se kur ishte i ri mblidheshin i gjithë fshati për iftar, por edhe e vizitonin njëri tjetrin më shumë. Ndërsa sot, sipas tij ka ndryshuar çdo gjë.

“Në të kaluarën më mirë e kanë agjëruar Ramazanin. Ka pasur “shyhret”. Tash po hanë shumë [në Ramazan]. Kur vinte iftari gëzoheshim shumë. Thirrnim hoxhën dhe dhjetë apo dymbëdhjetë tjerë për iftar. Pastaj falnim Teravinë. Sevap është në Ramazn të agjërojmë”, tregon më tej Nazim Neziri, përcjell Telegrafi.

Rrudhat që i kishin mbuluar fytyrën, tregonin edhe vjetërsinë e tij. Jetëgjatësinë e ka të trashëguar, sepse babai i tij kishte jetuar 118 vjet, ndërsa gjyshja 112.

Deri më tani Nazimi ka arritur që të përcjellë pesë breza.

“Në familjen time janë bërë 100 veta. 8 nipa i kam dhe 12 stërnipa. Ka mbi 30 meshkuj e rreth 23 çika. Më herët njërëzit kanë qenë më të fortë, tash po vdesin të rinj”, vazhdon të tregoj Nazim Neziri.

Padyshim, përgjatë këtyre viteve është përballur më shumëçka në jetë.

Ndërsa ndër momentet më të rënda, kishte qenë kur ishte varrosur i gjallë, për t’i shpëtuar armikut.

“Kam qëndruar dy orë nën dhe. Kur kanë dalë serbët e bullgarët nga oborri unë dola nga toka. Pastaj kam ikur përmes një përroi. Kur më kanë hasur ata nga kodrat kanë gjuajtur në mua, më plagosën pak dhe rashë. Ata kanë menduar se më kanë vrarë dhe shkuan e unë mbeta”, tregon Nazim Neziri.

105 vjeçari Nazim Neziri, sa fillonte të tregonte ndonjë ndodhi, ndalej në mendime, e më pas fillonte të tregonte diçka tjetër sepse sipas tij, në mendje kishte me qindra ngjarje të patreguara të jetës!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme