Komuna e Tetovës harxhon 122 mijë euro fonde nga IPA për mbeturinat

09:35 | 16 Maj 2019
Arbresh.info

Në tetor të vitit të kaluar autoritetet komunale të Tetovës, premtuan se gjatë vitit 2019-të do të furnizojnë 200 kosha të rinj të plehrave të cilët do të jenë me kapakë dhe do të vendosen në mbarë qytetin.

Nga Komuna thonë se kanë marrë 150 kosha plehrash me kapakë, të financuara me para evropiane shkruan Portalb.mk

Komuna e Tetovës ka shfrytëzuar 122 mijë euro fonde nga IPA për kosha plehrash dhe një kamion për mbledhjen e të njëjtave, me projektin “Furnizimi me automjet të posaçëm për grumbullimin e mbeturinave dhe kontejner për mbledhjen e mbeturinave”, na njoftojnë nga Komuna e Tetovës. Megjithatë nga Komuna nuk ofruan ndonjë dokument për pranimin e koshave dhe kamionit për plehra.

“Komuna e Tetovës, ishte njëra nga fituesit EU IPA grantit me projektin “Furnizimi me automjet të posaçëm për grumbullimin e mbeturinave dhe kontejner për mbledhjen e mbeturinave”, të nënshkruara më datë 03.10.2018 me Marrëveshje për IPA Grant nr. MSIP/IPA/65 midis Republikës së Maqedonisë Veriore e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Komuna e Tetovës si shfrytëzues i grantit”, thonë nga komuna.

Vlera totale e projektit është 7,320,000 denarë, ose 122.000 euro, njoftojnë nga Komuna e Tetovës, prej të cilave 6,100,00 denarë janë për automjetin për grumbullimin e mbeturinave dhe 1,220,000 denarë për kontejnerët.

Kryesisht koshat e plehrave në Tetovë nuk kanë kapakë, andaj edhe shpërndajnë erë të keqe. Mospastrimi dhe mosmirëmbajtja në kohë e koshave të plehrave sjell deri në tejmbushje të tyre. Ndërsa ajo që e rëndon më shumë situatën, është fakti se mbeturinat që hidhen në to nuk seleksionohen andaj stërmbushen me materiale të llojllojshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme