Premtimet e thyera për anëtarësim do të dëmtojnë të moderuarit dhe reformatorët në rajon.
Në fillimin e luftërave jugosllave më 1991, Jacques Poos, atëherë ministrër i jashtëm i Luksemburgut, vlerësoi përpjekjet paqeruajtëse të BE-së si një shenjë se “ora e Evropës ka filluar”.
Shpërthimi i tij prekte një errësirë të tmerrshme që zbriste në Evropën Juglindore. Kufizimet e fuqisë së butë të BE-së kurrë nuk u ekspozuan më brutalisht se gjatë mizorive që u përplasën në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë derisa u ndërprenë nga aksioni ushtarak i NATO-s dhe diplomacia e udhëhequr nga SHBA-ja.
Tani BE-ja është në prag të një gabimi tjetër historik në Ballkan. Qeveritë evropiane do të vendosin në një samit në qershor nëse do të fillojnë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi duhet të jetë unanim për të hyrë në fuqi. Kryesisht për të mbrojtur veten kundër kundërshtarëve të brendshëm, disa qeveri, të udhëhequra nga Franca dhe Holanda, hezitojnë të angazhohen në atë që duhet të jetë faza e ardhshme e zgjerimit të BE-së.
Francezët dëshirojnë që BE-ja të përqendrohet në reformimin e vet dhe në forcimin e eurozonës dhe në shmangien e lëvizjeve që mund ta rrisin mbështetjen për nativistët e djathtë të Evropës dhe populistët anti-qeveritarë. Megjithatë, në qoftë se mohuesit arrijnë sukses, ata do të rrezikojnë të nxisin pikërisht tensionet që BE-ja thotë se dëshiron t’i mbajë nën kontroll në Ballkan.
Ky argument vlen me forcë të veçantë për Maqedoninë e Veriut. Zoran Zaev, kryeministër i këtij vendi, dhe kolegët e tij kanë hedhur poshtë ultranacionalizmin e paraardhësve të tyre. Ata shfaqën guxim të madh në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin e vendit të tyre me Greqinë fqinje, me të cilën kishin marrëdhënie të ashpra që nga fillimi i viteve 1990. Për Ballkanin, i njohur që nga epoka para Luftës së Parë Botërore për mosmarrëveshje të pazgjidhura etnike, fetare dhe territoriale, është një shembull shumë i rrallë i një kompromisi të arsyeshëm që arrihet në mënyrë paqësore.
Njerëzit e Maqedonisë së Veriut mund të pyesin veten nëse BE-ja do t’i hapë dyert e veta, nëse diplomacia e guximshme dhe menaxhimi i zellshëm i përmasave të brendshme të mosmarrëveshjes së emrit nuk do të shpërblehen me fillimin e bisedimeve të pranimit. Një vonesë do ta kthente prapa shkakun e reformës në Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo do ta ndizte përsëri shovinizmin sllavo-maqedonas.
Më seriozisht, vonesa do t’i zhgënjente shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë. Janë më pak se 20 vjet që kur një kryengritje shqiptare shpërtheu në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur ndërhyrjen e shpejtë të NATO-s. Një arsye për qetësinë e mëvonshme relative është se udhëheqësit kryesorë të shqiptarëve u kanë thënë atyre që të mbajnë besimin në BE, anëtarësim të cilin ata e përshkruajnë si një garanci për të drejtat qytetare dhe një premtim për prosperitet.
Nëse dera e BE-së mbetet e mbyllur, këta moderues rrezikojnë të diskreditohen. Por kjo do të jetë gjithashtu një rrezik nëse, siç parashikojnë disa në rajon, BE-ja hap bisedimet e hyrjes me Maqedoninë e Veriut por e mban Shqipërinë në dhomën e pritjes. Një veprim i tillë do të derdh naftë në flakët e nacionalizmit pan-shqiptar, duke joshur politikanët dhe aktivistët në Shqipëri dhe Kosovë për të braktisur shpresat e hyrjes në BE dhe për të përqafuar kauzën e një Shqipërie të Madhe më qartë se shumë që tashmë bëjnë. Nga ana tjetër, kjo do të kontaminonte përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë dhe për të lehtësuar tensionet midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnjë e Hercegovinë.
Nëse paqëndrueshmëria rajonale rritet për shkak të mungesës së guximit nga ana e BE-së, kjo do të sigurojë tokë pjellore për ndërhyrje të huaj. Ballkani është një arenë e konkurrencës midis fuqive të jashtme, duke tërhequr Rusinë, Turqinë dhe Kinën në një cep të Evropës që kryesisht ka qenë nën ndikimin e BE-së dhe ShBA-së që nga luftërat jugosllave.
Agjentët rusë ishin pas një grushti të tentuar të vitit 2016 në Malin e Zi dhe ishin të zënë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut duke u përpjekur të zbulonin marrëveshjen e emrit. Turqia financon islamin politik në rajon. Ajo është aktive midis boshnjakëve myslimanë dhe shqiptarëve etnikë në Kosovë, Maqedoni Veriore dhe Shqipëri. Kina po e zgjeron ndikimin e saj me anë të investimeve të mëdha në kuadrin e Iniciativës “Rripi dhe Rruga”.
Për t’i mbajtur nën kontroll ambiciet ruse dhe kineze, Uashingtoni është i etur të punojë me BE-në në mbrojtjen e interesave të Perëndimit. Brukseli duhet të llogarisë në fatin e mirë që Ballkani është një nga rajonet e pakta në botë që nuk është prekur nga fërkimet e politikave të jashtme amerikane dhe evropiane nën administratën e presidentit Trump. BE-ja dhe Amerika u kombinuan mirë për të kontribuar në marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Kritikët e zgjerimit kanë të drejtë kur thonë se cilësia e demokracisë dhe sundimi i ligjit në vendet e Ballkanit është nën nivelin e standardeve të BE-së. Sidoqoftë, besimi i rajonit në Bashkimin Evropian dhe entuziazmi i popujve të tij për reformat e vështira për fitimin e anëtarësimit do të dobësohen, nëse në samitin e muajit të ardhshëm nuk dërgohet një sinjal pozitiv. Gjithçka që është më pak se kjo do të shkaktonte tollovi në Ballkan dhe do ta dëmtonte BE-në, e cila edhe një herë tjetër do të ishte fajtore për plagosjen e vetes.
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...