Aguero detyrohet të sqarohet për komentet rreth Messit dhe Topit të Artë

23:38 | 14 Maj 2019
Arbresh Info

Sulmuesi i Manchester City, Sergio Aguero, është detyruar t’i sqarojë komentet e tij se për ta fituar Topin e Artë një futbollist duhet ta arrijë finalen e Ligës së Kampionëve , duke këmbëngulur se deklaratat e tij ishin keqinterpretuar.

Mediat spanjolle e cituan Agueron të ketë thënë se Topi i Artë i takon një futbollisti që e arrin finalen e garës më prestigjioze evropiane për klube dhe jo Lionel Messit. Por, argjentinasi në sqarimin e tij këmbëngul se ai po i përgjigjej një pyetje për veten jo për të tjerët, shkruan gazeta express.

“Pyetja m’u bë mua, nëse unë duhet ta fitojë Topin e Artë këtë vit. Përgjigja ime ishte se unë duhet ta arrijë finalen e Ligës së Kampionëve për ta merituar këtë çmim. Nuk kam mundur të jem më i qartë, prandaj nuk është dashur të kishte vend për keqinterpretim”, shkroi Aguero në Twitter.

Vitin e kaluar, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi dështuan ta fitojnë Topin e Artë për herë të parë pas një dekade, pasi ai i shkoi fituesit të Ligës së Kampionëve me Real Madridin atë sezon dhe finalistit të Kupës së Botës me Kroacinë.

Aguero në sqarimin e tij pohoi se bashkatdhetari i tij Messit gjithmonë do të jetë zgjedhja e tij për Topin e Artë derisa të pensionohet.

“Nuk më pëlqen t’i sqaroj deklaratat e mia, por kur më citojnë për gjërat që nuk i kam thënë, duhet ta bëj patjetër. Askush përveç Messit nuk do të jetë zgjedhja ime për Topin e Artë sa të luan futboll ai, e veçanërisht nëse vazhdon të luajë siç e ka bërë këtë sezon”, shkroi Aguero.

Messi shihet si favorit i fortë për ta fituar këtë çmim për herë të gjashtë në karrierë për shkak të statistikave tejet mbresëlënëse individuale. 31-vjeçari dhe Barcelona e tij u eliminuan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe ky mund të jetë një minus i madh në tentimin e tij për ta fituar Topin e Artë.

Megjithatë, Messi e ka fituar përsëri La Ligën, është në finale të Kupës së Mbretit dhe praktikisht është fitues i Këpucës së Artë në tri fronte, La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Evropë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme