Shtypi francez: Shqipëria, një thesar europian, origjinale dhe mikpritëse

23:40 | 13 Maj 2019
Trina Galanxhi

”Që nga hapja e kufijve të saj, Shqipëria duket origjinale, e ruajtur dhe tërheqëse. Një kthesë e vogël për këtë vend interesant, të cilin bota nuk e ka njohur për një kohë të gjatë”, kështu e fillon artikullin e saj media franceze “20 minutes”, duke renditur pasuritë arkeologjike, peizazhin e paprekur dhe gastronominë si arsye për ta vizituar.

Shqipëria ka plazhe mahnitëse dhe limane të qeta

Për një kohë të gjatë, Shqipëria mbeti nën petkun e një diktature që përzihet me marksizmin dhe kultin e personalitetit. Sunduesi i saj i vetëm, Enver Hoxha, e izoloi vendin nga pjesa tjetër e botës deri në mesin e viteve 1980.

Si një paranojak që ishte, ky tiran shpërndau gjatë bregdetit bunkerë duke menduar se pushtimi ishte afër. Edhe pse tashmë shumë prej tyre janë shkatërruar, një numër i konsiderueshëm i këtyre ndërtesave të këqija mbeten ende të dukshme. Një film i vitit 1996 “Kolonel Bunker”, i drejtuar nga Kujtim Çashku, të ringjall këtë valë delirante.

A dëshironte Hoxha të mbronte regjimin e tij, apo të ruante në mënyre strikte thesaret e vendit të tij? Kjo pyetje lind që nga hapja e kufijve dhe zbulimi i gjurmëve të pabesueshme të lashta. Shqipëria ka tërhequr me të vërtetë lakminë e qytetërimeve të mëdha: greke, romake, bizantine, osmane dhe ilire, ku me këta të fundit, shqiptarët e konsiderojnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë, kanë lënë shenjën e tyre aty, transmeton ATSH.

Në udhëkryq të kulturave

Si një mozaik historik, Shqipëria është një parajsë për të pasionuarit pas arkeologjisë. Vizita në Butrintin e lashtë që ndodhet pranë qytetit të Sarandës, anulon rrjedhën e kohës. Ky port i vogël që bashkohet me ishullin grek të Korfuzit të lë përshtypjen e një tempulli, ky amfiteatër çuditërisht i vendosur në anë të një kodre dhe një manastiri madhështor.

Virgjili dhe Racine aty kanë imagjinuar takimin e Andromakës, Helenusit dhe Eneas. I banuar që nga kohët parahistorike, vendi reflekton tërheqjen e shumë kulturave për këtë vend strategjik me një atmosferë magjike, tashmë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Qyteti i Apolonisë, i nxjerrë në dritë pas Luftës së Parë Botërore nga Leon Rey, është i famshëm për portikun e tij të jashtëzakonshëm. Muzgu që bie mbi detin Adriatik ofron një shfaqje magjike në një heshtje që mezi thyhet nga erërat që fryjnë nëpër pemët e ullinjve.

Qyteti i ri, dekor i ri. Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, është shtëpia e një prej amfiteatrove më të shquar – më i madhi në Ballkan – që daton në shekullin II. Kripta e tij, ndërtuar nga të krishterët e hershëm, tregon një mozaik kompleksiteti të rrallë. I njohur dikur si Epidamnus, qyteti ishte një port imponues në rrugën tregtare Egnatia ndërmjet Romës dhe Bizantit. Ky qytet është sot një vendpushim bregdetar shumë popullor për turistët.

Flora dhe fauna, në harmoni

Përveç bregdetit të saj jugor dhe mrekullive të lashta, Shqipëria është në dy të tretën e saj e përbërë nga pyje, livadhe dhe relieve të ndryshëm. Natyra që ende gëzon të gjitha të drejtat e saj, ku mund të gjejmë ujqër, arinj, dhia e egër dhe rrëqebulli që jetojnë në harmoni në rezervate natyrore të mëdha.

Mali i Tomorit është simboli i kësaj bote të egër që ende ruhet. Është shtëpia e qytetit muze, Beratit 2400-vjeçar. Kalaja, kishat bizantine dhe xhamitë madhështore dëshmojnë për të kaluarën e pasur. Më tej në veri, Gjirokastra, një nga qytetet më të rëndësishme në jug të vendit, është shpallur gjithashtu një qytet muze për shkak të shtëpive të vogla mesjetare që kufizojnë rrugët e saj të ngushta.

Një kryeqytet i këndshëm

Natyrisht, Tiranën gjithashtu ia vlen ta vizitosh, veçanërisht për ndikimet e saj ruse dhe sheshin e saj mahnitës “Skënderbej”, emri i heroit të rezistencës ndaj turqve, të cilit shqiptarët i detyrohen flamurin e të tyre të kuq me një shqiponjë me dy koka. Aty gjejmë dhe xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si dhe Kullën e Sahatit, Pallatin e Kulturës me opera, teatër, bibliotekë dhe shumë muze që do të na mësojnë më shumë për vendin.

Një ndalesë në kryeqytet gjithashtu fton turistët të zbulojnë kuzhinën shqiptare, që vërtet ia vlen të ndalosh. Pjata kombëtare është tava e kosit, mish qengji i gatuar në kos. Një mrekulli, sidomos nëse shoqërohet me verërat më të mira të vendit. Llokume dhe kafetë e stilit turk do ta mbyllin këtë largim në vendin e shqiponjave.

Çfarë të hamë?

Kuzhina shqiptare është e ndikuar nga gastronomia turke dhe greke. Aty gjejmë dollmatë, perimet e mbushura dhe mbizotërimin e mishit të deles.

Qëndrimi

Meqenëse turizmi është relativisht i ri në Shqipëri, infrastruktura hoteliere është kryesisht e vendosur në qytetet e mëdha dhe në vendet turistike. Akomodimi është mjaft i lirë, edhe pse në Tiranë çmimet janë më të larta. Ka edhe disa hostele dhe fushata të rinjsh me tarifa shumë të volitshme. Sidoqoftë, mikpritja dhe ndjenja e të qenit i mirëpritur janë vlera kryesore në të gjithë vendin. Një proverb afirmon gjithashtu se “shtëpia e shqiptarëve është e zotit dhe e mikut”. Qëndrimi tek banorët vendas është një aventurë për t’u provuar”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme