Prokuroritë Themelore në Kosovë janë duke hetuar qindra raste të manipulimit me lista të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan arbresh.info.
Vetëm Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila është duke hetuar manipulimet e komandantëve dhe përgjegjësit e Zonës Operativë të Karadakut, është duke verifikuar rreth 500 aplikacione të statusit të veteranit, që dyshohet të jenë mashtrues.
Zyrtarë të kësaj prokurorie për “Arbresh.info”, kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Gjilan është në identifikim e sipër të komandantëve të këtyre brigadave, si dhe të numrit të aplikantëve, të cilët kanë marrë statusin e veteranit dhe që dyshohet të jenë rreth 409 aplikacione të tilla.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, është duke hetuar rastin, i cili ka të bëjë me çështjen e përfitimeve dhe abuzimit të listave me veteranët e UÇK-së. Prokuroria është në identifikim e sipër të komandantëve të këtyre brigadave, përgjegjësit e Zonës Operativë të Karadakut, si dhe numrin e aplikantëve, të cilët kanë marrë statusin e veteranit dhe që dyshohet të jenë rreth 409 aplikacione të tilla”, ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj prokuroria, Liridona Xheladini.
Prokuroria e Gjakovës dhe ajo e Mitrovicës janë duke hetuar 84 raste të veteranëve mashtrues
Në anën tjetër, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe Prokurorinë Themelore në Gjakovë aktualisht janë duke u hetuar hiq më pak se 84 raste të mashtrimeve me listat e veteranëve.
Në duart e prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë janë 62 raste që dyshohet se kanë të bëjnë me veteranë mashtrues.
Prej 62 rasteve që po hetohen nga kjo prokurori, sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, deri tash janë ngritur vetëm dy aktakuza.
“Sa i përket lëndëve të veteranëve mashtrues në PTH Mitrovicë janë të evidentuara 62 raste, prej tyre një lëndë është Pezulluar, ndërkaq në një tjetër është ngritur aktakuza dhe është dorëzuar në gjykatë”, është shprehur Preteni.
Prokuroria Themelore në Gjakovë është duke hetuar 22 persona si të dyshuar për mashtrim me statusin e veteranit.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Yllka Shehu për “arbresh.info” ka pohuar se janë identifikuar 22 persona të dyshuar për të cilët prokuroria është duke zhvilluar hetimet.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë hetuar 22 të dyshuar nga ana e Policisë, dhe ndaj tyre, këto dy ditë pritet të ushtrohet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë”, është shprehur ajo.
Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke hetuar tri raste të veteranëve mashtrues
Prokuroria Themelore në Prishtinë aktualisht ka në duar tri raste. Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë se këto tri raste janë duke u trajtuar në procedurë të rregullt.
“Lidhur me rastet e veteraneve mashtrues, të cilët po hetohen nga prokuroritë themelore, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Prishtine, është duke hetuar tre raste të tilla, të evidentuara me nr. PPN.II.nr.75/19, PPN.II.nr.1615/18, PPN.I.nr.28/17, të cilat janë duke u trajtuar në procedurë të rregullt”, është shprehur zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Ajo ka shtuar se rasti penal i evidentuar me nr. PPN.I.231/16, me 20.07.2018, ka kaluar në kompetence lëndore Prokurorisë Speciale.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prizren dhe ajo e Ferizajt nuk kanë dhënë ndonjë shifër konkrete të rasteve të tilla që kanë në duar, mirëpo kanë shtuar se janë disa raste që janë në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informatave. Zyrtarë të këtyre dy prokurorive kanë thënë se nuk dihet saktë sa është numri i rasteve dhe i personave të dyshuar për manipulime me listat e veteranëve.
Ndryshe në seancën e 14 marsit të këtij viti në rastin e njohur si “Veteranët”, ku të akuzuar janë 12 ish-krerët të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj si dhe Xhavit Jashari, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Enver Krasniqi pati kërkuar që të pezullohet pagesa për 19 mijë e 500 veteranë, të cilët sipas prokurorit dyshohet se janë futur në lista të veteranëve në mënyrë të rrejshme.
Ai kishte kërkuar pezullimin e këtyre pensioneve deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor. Mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila më 1 prill të këtij viti kishte dal marrë vendim për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për pezullimin e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë.
Përndryshe, shpenzimet për veteranët e luftës janë dyfishuar brenda vitesh. Derisa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016 për pensionet e veteranëve janë shpenzuar 20.2 milionë euro, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 kjo shumë ka arritur në 37.8 milionë të tjera./Arbresh.info/Gita Lushi
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...
Tentuan të grabisin një market në Ferizaj, arrestohen dy të ...
Rama: Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë ekonomike, për ...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje
Konjufca: Luftimi i dhunës në familje dhe bazë gjinore është...
Sara për Drilonin: Nuk i falet, më thoshte jam prapa teje