Serbia tregon ‘muskujt’ me mjete ushtarake nga Rusia, Kosova e sigurt ka NATO-n e KFOR-in

09:57 | 11 Maj 2019
Arbresh.info

Kosova është e sigurt, paradat e Serbisë nuk duhet të paraqesin as shqetësimin më të vogël.

Kështu ka thënë për arbresh.info, ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.

Kastrati ka shtuar gjithashtu se kjo paradë është demonstrim i forcës dhe po bëhet në kohën kur janë ngritur tensionet Kosovë-Serbi.

“Unë absolutisht pajtohem që parada e mbajtur sot në Nish është demonstrimi i forcës dhe kjo po ndodhë pikërisht në kohën kur tensionet janë ngritur sa i përket marrëdhënieve Kosove- Serbi edhe për shkak të taksës dhe bllokimit të bisedimeve”, ka thënë ai.

Sipas Kastratit, mjetet ushtarake të përdorura të premten e të marra nga Rusia tregojnë se Serbia ka mbetur me mentalitetin e viteve 90-të.

“Edhe demonstrimi i mjeteve ushtarake të marra nga Rusia po tregojnë se Serbia nuk është e interesuar të shkoj kah Evropa dhe kah NATO por me këto pajisje që i ka ble ose marrë si garanci po tregohet e kundërta dhe kjo nuk na habit absolutisht, sepse Serbia ka një kohë që po luan këtë lojë të dyfishtë por më tepër po anon kah Rusia sesa kah Evropa”, ka shtuar ai.

Kastrati ka thënë se Kosova është e sigurt derisa këtu gjenden NATO dhe KFOR.

“Institucionet e Kosovës nuk duhet ndërmarrë asgjë në këtë drejtim, NATO është vëzhguar me kujdes, KFORI është këtu dhe ne për sigurinë ë përgjithshme kombëtare nuk duhet brengosur. Forcat e NATO-së janë në Kosovë dhe nëse Serbia tenton të bëj diçka atëherë ka hyrë në luftë me NATO-në mirëpo ky është në aktivitet i Serbisë që nuk po din të reformohet dhe të ec përpara por po përdorë të njëjtën filozofi si në vitet 90-ta”, ka përfunduar ai.

E se Kosovës është e sigurt mendon edhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje të FSK-së Haxhi Shala. Ai në një prononcim dhënë arbresh.info ka thënë se paradat e Serbisë nuk paraqesin rrezik për Kosovën.

“Kosova nuk ka rrezik prej paradave serbe e as prej gjithë shtetit të Serbisë, madje nuk duhet pasur frikë. Gabimet që i ka bërë më herët Serbia nuk do të mund t’i përsërisë asnjëherë më”, ka thënë ai.

Shala ka shtuar gjithashtu se ato mund të organizohen kudo në Serbi  por qëndrojnë brenda atij territori.

“Ata kanë mund që edhe në Preshevë dhe Medvegjë ta organizojnë këtë paradë pasi aty është edhe një kazermë tjetër apo kudo tjetër brenda territorit të Serbisë por kjo nuk paraqet as shqetësimin më të vogël për Kosovën”, u shpreh ai.

Ndryshe të premten ushtria serbe ka organizuar paradë në Nish me të cilën është shënuar Ditën e Fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë kësaj ceremonie kanë marrë pjesë 4 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë, 300 automjete dhe 40 fluturake, përfshirë edhe dy helikopterë luftarakë me ekuipazhe ruse.

Agjencia amerikane e lajmeve, AP, ka vlerësuar se kjo ceremoni është demonstrim të forcës në rrethana të acarimit të raporteve me Kosovën./A.Çitaku/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme