Google ADS

“Paraja nuk mund të bëjë të pranueshëm një plan paqeje që kërkon dorëzimin tonë”

23:51 | 10 Maj 2019
Arbresh.info

Ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad al-Maliki, lidhur me planin e shumëpritur për paqe në Lindjen e Mesme të administratës së presidentit të SHBA-ve, Donald Trump tha se “Përpjekjet e administratës amerikane nuk mund të cilësohen si përpjekje paqësore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Maliki ka folur në takimin e zhvilluar në selinë e OKB-së të mbajtur nga Indonezia, Afrika e Jugut dhe Kuvajti, ku u diskutuan vendbanimet e paligjshme në territoret palestineze të okupuara nga Izraeli.

Ai tha se “Zona C” përkon me 60 për qind të Bregut Perëndimor, por palestinezët lejohen të përdorin vetëm në më pak se një për qind të territorit ndërkohë që edhe vetëm 13 për qind e Kudsit Lindor është territor i Palestinës.

Sipas tij, në territoret palestineze, përfshirë edhe Kudsin Lindor, ndodhen më shumë se 600 mijë kolonë hebrenj. Maliki tha se Izraeli ka për qëllim të aneksojë vendet që ka pushtuar.

“Ne shpesh dëgjojmë për sigurinë e Izraelit, por Izraeli është ai që ka avionë luftarakë, tanke dhe armë bërthamore. Çfarë do të ndodhë me sigurinë e palestinezëve që kanë nevojë për mbrojtje? A ka ndonjë rrezik më të madh se mbetja e një kolonie të pakontrolluar nën mëshirën e një fuqie ushtarake?”, thekson Maliki.

Ai shtoi se pavarësisht të gjitha padrejtësive, Palestina do t’i përmbahet mbizotërimit të ligjit ndërkombëtar dhe paqes. Lidhur me planin e shumëpritur për paqe në Lindjen e Mesme të administratës së Trumpit, Maliki tha se “Përpjekjet e administratës amerikane nuk mund të cilësohen si përpjekje paqësore. Këto nisma nuk janë plan për paqe, por kushtet e dorëzimit. Paraja, në asnjë mënyrë nuk mund ta bëjë të pranueshëm këtë plan”.

Duke vënë në dukje se SHBA-ja nuk i dëgjon thirrjet palestineze dhe se ajo qëndron e heshtur përballë shkeljeve të Izraelit, Maliki tha se “Populli palestinez për shumë vite nuk ka pritur për ndryshimin e ngjyrës dhe gjatësisë së zinxhirit me të cilin i janë lidhur duart, por ata duan lirinë e pakushtëzuar, sovranitetin, ai dëshiron të ekzistojë së bashku në paqe dhe jo në autonomi të kufizuar dhe në nënshtrim. Dëshiron kontroll mbi kufij dhe jo mbi mure dhe bllokadë”.

“Populli palestinez nuk kërkon lëmoshë, por qasje në burimet e tij. Dëshiron të jetë zot i fatit të vet, jo skllav i të tjerëve. Ai kurrë nuk do të pranojë më pak”, potencoi Maliki.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme