Google ADS

Lluka: Sektori minerar të hapet për investime të huaja

14:49 | 10 Maj 2019
V. S.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, po merr pjesë në konferencën e dytë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis”, konferencë kjo e organizuar në mes Kosovës dhe Shqipërisë që po mbahet në Tiranë.

Lluka para pjesëmarrësve tha se shtetet që kanë arritur të zhvillojnë sektorin minerar kanë kaluar fazën e tranzicionit shpejtë.

“Trepça”, miniera e magnezitit në Golesh, miniera e re e thëngjillit dhe 11 zonat me interes të veçantë ishin potencialet e përmendura nga ministri Lluka që kanë marrë vëmendje nga Qeveria e Kosovës për të zhvilluar këtë sektor jetik për vendin.

“Shtetet në tranzicion që kanë arritur të zhvillojnë sektorin minerar, kanë kaluar fazën e tranzicionit më shpejtë, kryesisht për shkak se ky sektor ka kapacitet të thithë investime të huaja më shpejtë se sa sektorët tjerë, që rezulton në punësime të reja, rritje të aktivitetit ekonomik dhe rritje të eksportit, të gjitha këto duke ndikuar në rritje të bruto produktit vendor. Prandaj, është jetike për mirëqenien e vendeve tona që këtij sektori t’i jepet prioritet në zhvillim”,  tha Lluka gjatë fjalimit të tij.

Konferenca e dytë me temë “Zhvillimi Integral i Industrisë Minerare me Ndikim Minimal në Mjedis” ka mbledhur institucionet e dy vendeve, bizneset dhe ekspertët e fushës dhe do të zgjas dy ditë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme