Google ADS

Thaçi: Me Presidentin Putin jemi takuar vetëm për vetëm

22:59 | 9 Maj 2019
Arbresh.info

Hashim Thaçi ka folur në studion e emisionit “Opinion” për takimin me presidentin rus Vladimir Putin. Ai i ka dhënë fund spekulimeve për foton e tyre, duke thënë se ishin në pallatin Elize ku ndodheshin edhe Emmanuel Macron, Donald Trump, Angela Merkel e të tjerë. Sipas Thaçit, Vladimir Putin i ka premtuar se nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, ai nuk do të dalë kundër.

“Pa asnjë ndërmjetësim, është organizuar një mundësi komunikimi në një nga hapësirat e Elizesë, ku kanë qenë Trump, Merkel, Macron. Me Presidentin Putin jemi takuar vetëm për vetëm. E kam pyetur shumë hapur nëse arrihet marrëveshje reciproke për njohje Kosovë-Serbi, më tha se Rusia nuk del kundër një marrëveshje të tillë. Po nëse arrihet një marrëveshje reciproke a do të dilte kundër në Këshillin e Sigurimit? Më tha shumë qartë: Nuk mund të jemi më serbë se Serbia”, ka sqaruar Thaçi.

Ai ka folur edhe për planin amerikan për këtë marrëveshje, duke theksuar se udhërrëfyes është letra që ka marrë nga presidenti Donald Trump.

“Nuk është diskutuar ndonjë ide konkrete, por Parisi është një organizim me substancial mes palëve, ku do të jetë Macron, Merkel dhe zonja Mogherini. Në takim do të jenë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë. SHBA kanë pozicion të qartë, nuk kanë vija të kuqe, edhe pas Berlinit. Më është konfirmuar zyrtarisht. Kam diskutuar drejtpërdrejtë edhe me presidentin Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është dakord 100%. Kam diskutuar edhe me Sekretarin Pompeo, edhe me të gjitha instancat e SHBA, që e mbështesin arritjen e një marrëveshje pa vija të kuqe. Nuk kemi plan ose pretendim imponimi për zgjidhje. Për mua është udhërrëfyes letra e Trump”, ka shprehur Hashim Thaçi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme