Shmanget takimi Thaçi – Vuçiq në mëngjes, a do të ndodhë më vonë?

09:27 | 9 Maj 2019
V. S.

Edhe gjysmë ore kanë mbetur deri në nisjen e Samitit të Brdo-Brijunit në Tiranë. Por, sipas ekipit të Televizionit 7 që gjendet atje, takimi në mes te Presidentit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shmangur dhe nuk dihet nëse do të ndodhë me vonë.

Takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shmangur në Samitin Brdo Brijuni, që po mbahet në Tiranë, shkruan Gazeta Express.

Sipas pamjeve nga atje shihet se shefja e BE’së, Federica Mogherini ka zgjatur muhabetin me Presidentin Thaçi, ndërsa një tavolinë më tutje ka qëndruar Vuçiq dhe Milorad Dodik.

I pari, nga lobi i hotelit është larguar Thaçi bashkë me Mogherinin dhe më pas edhe Aleksandar Vuçiqi me Milorad Dodikun.

Ajo që bie në sy është pjesëmarrja e Miloard Dodik, i cili është kundërshtar i madh i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe mohon krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve ’90.

Për ardhjen e tij, Presidenti Hashim Thaçi dje ka thënë se Dodik nuk është dashur të ftohet, dhe se presidenca e Shqipërisë duhet të sqarojë se pse e ka ftuar një person të cilit ia ka mbyllur dyert krejt bota, shkruan Gazeta Express.

Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić./gazetaexpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme