Google ADS

Arrin në Tiranë presidenti serb

22:01 | 8 Maj 2019
Arbresh.info

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka arritur në Tiranë, për t’iu bashkëngjitur pjesës tjetër të liderëve ballkanikë në përgatitjet për Samitin e Brdo-Brijunit.

Presidenti serb që paradite ka qëndruar në Romë për vizitë zyrtare, ka arritur në Shqipëri rreth orës 21:00, shkruan Gazeta Express.

Në Tiranë janë mbledhur liderë të tjerë ballkanikë dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sonte ishte paraparë që ata të kenë një darkë joformale, e takimet vazhdojnë edhe nesër.

Mogherini sot e ka takuar fillimisht kryeministrin Edi Rama dhe me të kanë dalë në një konferencë për media. Të dy i janë përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj për akuzat që ua ka bërë më parë.

Mogherini ka thënë se nuk ka qenë pjesë e asnjë komploti për ndarjen e Kosovës, ndërsa Rama ka pasur një përgjigje më të rëndë. “Sa pa dalë Facebook’u, budallain e ka njohur vetëm shtëpia e tij”, ka thënë kryeministri shqiptar.

Në Tiranë ka arritur edhe presidenti i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili në një prononcim për media ka komentuar protestën e organizuar kundër ardhjes së tij dhe të presidentit serb.

Dodik thotë se atij nuk i bën përshtypje protesta e organizuar nga dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë dhe se aty ka shkuar për të përfaqësuar serbët e Bosnjës.

Ndërkaq samiti dyditorë në Tiranë ka për nikoqirë presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, presidenten kroate Kolinda Grabar – Kitaroviq dhe presidenti i Sllovenisë Borut Pahor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme