Google ADS

Bushati pranon “ftohjen” me Ramën: Marrëdhëniet kanë ndryshuar

23:35 | 7 Maj 2019
Arbresh.info

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka folur për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama.

I pyetur në studion e Mirela Milorit në “ABC News” se si kanë ndryshuar marrëdhëniet me Ramën pas lënies së detyrës së ministrit, Bushati pranoi se ka një ridimensionim të marrëdhënieve mes tyre.

“Nuk kam asnjë qejf mbetje. Nuk kam lindur ministër. Ministri është qiraxhi në zyrën e shtetit. Kam qenë dhe jam politikan. Kam rreth 10 vite që jam në parlament dhe që nga 2011 jam anëtar i Kryesisë së PS. Drejtoj një qark të rëndësishëm me të cilën më lidh edhe e kaluara ime. Për mua nuk ka asnjë lloj qejf mbetje. Për mua është e rëndësishme që të luftoj për ca ide dhe ca pikëpamje. Jo në çdo rast idetë apo pikëpamjet që kam mbrojtur mund të kenë qenë idetë që janë përkthyer në politika shtetërore, por kjo është logjika e çdo qeverie.

Kam qenë i respektuar nga kolegët dhe kryeministri në ushtrimin e detyrës që kam mbajtur. Nuk ka ftohje, por ridimensionim të marrëdhënieve. Kjo vjen nga fakti që unë nuk jam më pjesë e kabinetit qeveritar. Ministri i Jashtëm dhe kryeministri kanë një marrëdhënie të ngushtë për shkak të intensitetit të punës. Për herë të parë na u dha besimi nga vendet anëtare e OSBE për të drejtuar këtë organizatë në 2020. Të gjitha këto procese nuk do ishin realizuar pa mbështetjen e kryeministrit apo kolegëve. Marrëdhëniet janë ridimensionuar sepse drejtoj një qark politik”, tha Bushati.

Bushati shtoi se me Ramën takohet sa herë ka mbledhje kryesie, ndërsa hodhi poshtë zërat që e projektojnë si kryeministër të një qeverie tranzitore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme