Ministri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo do të qëndrojë sot për një vizitë të parë në Berlin. Në qendër të bisedimeve me homologun e tij gjerman, Heiko Maas si dhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel do të jenë një sërë krizash dhe konfliktesh në botë.
Agjencitë e lajmeve veçojnë temën e konfliktit të Serbisë me Kosovën, si temë bashkëbisedimi me mikpritësit gjermanë, përveç konfliktit në Ukrainën Lindore, në Venezuelë dhe në Siri.
Raporti me Kinën dhe Rusinë gjithashtu do të jetë në qendër të vëmendjes në bisedimet në Berlin.
Gjermania dhe Franca do të angazhohen në një takim të përbashkët të ri në 1 korrik në Paris për një rrugëdalje nga konflikti mes Kosovës e Serbisë dhe bllokimi i dialogut. Ato e kundërshtojnë së bashku idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si ide që do të destabilizonte të gjithë rajonin.Tre deputetë të njohur të Bundestagut Gjerman, Peter Beyer (CDU), Josip Juratovic (SPD) dhe Manuel Sarrazin (Aleanca 90/Të Gjelbrit) shkruan javën e kaluar në gazetën konservatore gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung se i deziluzionuar për idenë e shkëmbimit të territoreve përgjatë vijave etnike mes Serbisë dhe Kosovës duket se tashmë është edhe këshilltari amerikan i sigurisë John Bolton, i cili ia ka prezantuar si të pranueshme Presidentit Trump idenë e shkëmbimit të territoreve.
Takimi i Pompeos me ministrin e Jashtëm gjerman Maas pritet të zgjasë deri në orën 17, kur është parashikuar një konferencë e përbashkët shtypi. Një deklaratë e përbashkët para medieve e ministrit të Jashtëm të SHBA Pompeo dhe Kancelares gjermane Angela Merkel është parashikuar për në orën 18./DW
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...