Google ADS

Blerim Devolli pritet t’ia shtojë vetës edhe 30 milionë euro, ndërsa mijëra punëtorë të mbesin në rrugë

13:27 | 6 Maj 2019
L G

Brenda kësaj jave mbi 3800 kosovarë mund të mbesin pa punë. Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Telekomi detyrohet që t’i paguajë 25 milionë e 900 mijë euro kompanisë së Devollëve, Z-Mobile.

Krye shefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi për dalje nga kriza ka kërkuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës, ndërkaq sot kanë dhënë edhe një ultimatum që deri të premten të gjendet një zgjidhje, në të kundërtën paralajmërojnë protesta të dhunshme.

Deri më tani Qeveria ka zgjedhur heshtjen, raporton Gazeta Express.

Dy javë kohë iu është dhënë Telekomit të Kosovës nga Z-Mobile që të paguajë borxhin prej 25 milionë e 900 mijë euro. Përmes një letre të dërguar në 26 prill, bëhet e ditur se nëse nuk paguhet shuma në këtë kohë, Z-Mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

Për të dalë nga kjo krizë që brenda javës mund ta çojë në falimentim kompaninë, krye shefi i Telekomit, Bedri Isrefi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përfshihen në këtë temë.

Mirëpo, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kanë bërë të ditur se sot nuk do të mbahet një takim për të diskutuar këtë. Në një përgjigje për Gazetën Express është bërë e ditur se sot gjatë ditës në agjendë të kryeministrit nuk është paraparë ndonjë takim i tillë.

Kjo heshtje e Qeverisë karshi kësaj teme ka mobilizuar sindikatën e PTK-së. Sot në një mbledhje ku mori pjesë edhe kryeshefi Istrefi, qeverisë iu është dhënë ultimatum deri të premten për të gjetur një zgjidhje, në të kundërtën kanë paralajmëruar protesta që mund të jenë edhe të dhunshme.

Lahi Balaj nga Sindikata e Telekomit të Kosovës ka bërë të ditur për Gazetën Expressse sot janë takuar me kryeshefin e PTK-së, Bedri Istrefit, teksa edhe këtij të fundit ia kanë bërë të qartë se do të organizojnë protesta.

“Jemi mësuar nga krimi i organizuar si rasti i fundit. Nuk i frikësohemi e shohim shqetësuese se shteti duhet të reagojë. Në rast se nuk reagon Qeveria dhe në rast të mos ndaljes ne nuk i frikësohemi Blerim Devollit e as Z-Mobile”, thotë Balaj, duke përmendur edhe paralajmërimin për protest.

“Sot e kemi bërë këshillin e protestave. Sindikata i jep Qeverisë afat deri të premten në ora 16:00 në të kundërtën do të protestojmë” Kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria takim urgjent me sindikatën bordin e menaxhmentin për borxhin e Z- Mobile. Nëse nuk ka ftojnë nga e hëna do të jenë protestat që nuk dihen a do të jenë të dhunshme”, ka bërë të ditur Balaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati përmendur atë që sipas tij do të mund të ishte mundësia më e mirë e daljes nga kriza në Telekom. Kjo sipas tij mund të arrihej duke u ulur pagat.

“Punëtorëve ndoshta nuk iu bjen shumë të ulen, por menaxhmentit. Nuk besoj 40 për qind, por nëse kërkohet për 10 për qind për punëtorët e 20 për qind për menaxhment, është në të mirën e tyre, në mënyrë që të mos bankrotojë. Kur të kthehen në këmbët e veta, mund të kthehen pagat prapë”, kishte thënë Haradinaj në një mbledhje të Qeverisë.

Telekomit i ka mbetur vetëm edhe një javë kohë që të paguajë borxhin ndaj Z-Mobile. Në të kundërtën do të fillojnë procedurat e përmbarimit.
Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë dje për Gazetën Express se nëse nuk bëhet shpejt një zgjidhje për të mos lejuar shkatërrimin e Telekomit, atëherë, do t’ju prijë 2500 punëtorëve për të kërkuar të drejta në rrugë. Për të mos ndodhur ky skenar, ai u ka bërë thirrje zyrtarëve të Qeverisë të përfshihen në zgjidhjen e kësaj situatë ku një kompani privat po kërkon 25 milionë e 900 mijë euro.

“Jemi duke negociuar. Takimin e radhës e kemi të hënën. Shpresoj shumë se do të gjejmë një marrëveshje që të mos ekzekutohet vendimi i Gjykatës për t’ia marrë Telekomit ato mjete”, ka thënë Bedri Istrefi, Kryeshef i Telekomit.

Ai ka kërkuar ndihmën e Qeverisë për të tejkaluar këtë situatë. Në të kundërtën ka thënë se do të jetë në krye të protestave të 2500 punëtorëve të kësaj kompanie publike.

“Unë do të luaj rolin e kryesindikalistit dhe do të dalë në rrugë bashkë me punëtorët”, ka thënë Istrefi. Sipas tij nëse dështon Telekomi do të pësojnë edhe 1 mijë e 300 punëtorë të postës.

Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv të Telekomit që në një afat brenda dy javësh të kryhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove.

Data e dërgesës së kësaj letre shënon 26 prill 2019, që i bie se Telekomit i ka mbetur edhe një javë kohë që ta paguajë këtë borxh.

E në të kundërtën në letër thuhet se Z-mobile do të fillojë procedurat e përmbarimit.

Sipas asaj që shkruhet në dokument, borxhi nga vendimi i Arbitrazhit ka arritur në shumën e 25 milionë e 900 mijë euro.

“Tani vendimi i Arbitrazhit është i përmbarueshëm dhe kamatat ligjore rriten çdo ditë, prandaj vonesat në pagesën e borxhit nga Vendimi i Arbitrazhit më së paku i konvenojnë Telekomit të Kosovës. Duke pasur parasysh të lartcekurat ju lusim që brenda afatit prej 14 ditësh nga data e pranimit të kësaj shkrese të deklaroheni se a dëshironi ta paguani borxhin vullnetarisht, pa nevojë nga ana jonë që të iniciohen procedurat e përmbarimit”, thuhet dokument.

“Ne jemi në pritje të propozimit tuaj për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe përgjatë afatit të lartshënuar nuk do të marrim veprime tjera ligjore. Në rast të mosgatishmërisë suaj për të gjetur zgjidhjen për pagesën e borxhit, ne jemi të detyruar të iniciojmë procedurat e përmbarimit, të cilat janë shumë të kushtueshme për Telekomin”, vazhdon letra që mban logon e Z-mobile, por që është dërguar në emër të Dardafon.net LLC si pronare e saj.

Me autorizim të drejtuesve të Z-mobile, nënshkrimin e saj e ka bërë Valon Basha.

Më herët, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pati deklaruar se në rast se Telekomi paguan këtë borxh ndaj Z-mobile, atëherë kompania publike do të falimentonte.

Si nisi problemi i Telekomit me Z-mobile?

Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.

Gjithë këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.
Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.

Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile.

Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur. E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.

Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza. Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro.

Telekomit të Kosovës i ka mbetur vetëm një javë për të negociuar me “Z-Mobile” lidhur me afatin e pagesës së borxhit prej 25.9 milionë eurosh.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, “Z-Mobile” ka paralajmëruar të fillojë procedurat e përmbarimit, nga e cila Telekomi do t’i humbë edhe afro 5 milionë euro shtesë.

Ekzekutimin e afro 26 milionë eurove kompania “Z-Mobile” po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.

Shkresa me të cilën “Z-Mobile” i është drejtuar Telekomit ka nxitur reagim dhe akuza të ndërsjella në mes të udhëheqësve të Telekomit dhe Qeverisë.
Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, ka akuzuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, se po e dëshiron falimentimin, duke e proklamuar atë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme