Google ADS

Klinika Emergjente nuk do të jetë gati në qershor të këtij viti, siç parashihej në kontratë

08:05 | 6 Maj 2019
V. S.

Janë bërë pothuajse tri vite nga fillimi i ndërtimit të objektit të ri të Klinikës Emergjentë në Prishtinë por që ky objekt ende nuk ka përfunduar.

Në një përgjigje për arbresh.info nga Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Shëndetësisë kanë treguar se cilat janë arsyet e ndërprerjes së punimeve.

“Arsyet e ndërprerjes së punimeve apo dinamika e ngadalshme e tyre ka ardhur si pasojë e mos përmbushjes së obligimeve sipas kontratës nga ana e kompanisë që ka fituar kontratën për ndërtimin e saj, duke u thirr në disa ndryshime të projektit, të cilat sipas tyre duhet t bëhen para se të vazhdohet me pjesën tjetër të punimeve.”

Në Ministri thonë se kanë kërkuar që kompania t’i vazhdojë punimet sipas projektit në bazë të së cilit është dhënë kontrata dhe në bazë të cilit ka aplikuar e fituar kjo kompani, derisa disa ndryshime mund të bëhen përgjatë kryerjes së krejt projektit.

Se kur pritet të përfundoj ndërtimi i saj nga Ministria e Shëndetësisë thonë afati i përfundimit sipas kontratës së nënshkruar nga MSh-ja si autoritet kontraktues dhe operatori fitues, ka qenë qershori i vitit 2019, por që për shkak të neglizhimit të punëve nga kompania që e kishte fituar tenderin do të ketë vonesa.

“Afati, sipas kontratës së nënshkruar nga MSh-ja si autoritet kontraktues dhe operatori fitues, ka qenë qershori i vitit 2019, por është evidente se do të këtë vonesa në realizimin e këtij projekti për shkak të neglizhimit të punëve nga kompania që e kishte fituar tenderin në bazë të specifikacioneve të shpallura në tenderin publik.”

Megjithatë, MSh pret që të tejkalohen ngecjet dhe projekti të finalizohet dhe të vihet në funksion të pacientëve në nevojë.

Sa i përket kapaciteteve, hapësirave dhe shtretërve në Kliniken Emergjente në përgjigjen e tyre MSh thotë se Klinika Emergjente në QKUK është një prej më të ngarkuarave me punë.

Nga kjo ministri kanë treguar investimet që kanë bërë vitin e kaluar në këtë klinikë, por që sipas tyre zgjidhja më e mirë për shërbimet e kujdesit mjekësor emergjent është përfundimi i Klinikës së re Emergjente.

“Vitin që shkoi, Ministria ka investuar në rritjen e këtyre hapësirave, në infrastrukturën e shërbimeve aty, modernizimin e tyre ka investuar rreth 500 mijë euro dhe, pret që zgjidhja më e mirë për shërbimet e kujdesit mjekësor emergjent të bëhet me përfundimin e Klinikës së re Emergjente, që është një investim kapital i MSh-së”, thuhet në përgjigjen e tyre./arbresh.info/R.Rexhepi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme