Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka bërë një urim për të gjithë myslimanët më rastin e nisjes së muajit të Bekuar të Ramazanit.
Meta shprehet se ky Muaj i madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin.
Urimi i plotë:
Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë,
Nga zemra u uroj ju dhe mbarë popullit, Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës e të reflektimit, por edhe të dhënies së provave të pafundme të forcës së besimit në Zot!
Agjërim të lehtë, të shëndetshëm dhe të pranuar, mbarësi dhe begati në familjet tuaja dhe Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur atë më së miri!
Ky Muaj i madhërishëm, jo vetëm lartëson shpirtin dhe e pastron atë nga veset, por kthjellon mendjen e rikthen gëzimin. Ramazani është sfida që njeriu i bën vetes në raport me përmbushjen e përgjegjësive të tij para Zotit, por edhe para familjes, shoqërisë e kombit. Më shumë shpresë e besim, dashuri, paqe e kohezion social, vëllazëri, drejtësi e solidaritet, janë mesazhet që përcjellim këtë Muaj.
Koha kur jetojmë, reflekton probleme të shumta, brenda familjeve shqiptare, por edhe në mbarë shoqërinë tonë. Mungesa e dashurisë, solidaritetit e humanizmit, padrejtësitë, korrupsioni, arroganca dhe egoja e pafre, inati e smira, interesi personal, por dhe lakmia, shpeshherë godasin rëndë ekuilibrat shoqërorë dhe vlerat më të mira fetare, njerëzore e kombëtare, me të cilat ne krenohemi.
Rinia sot është e prekur nga krimi, droga, bixhozi e fajdet, largimi nga arsimi e edukimi cilësor, papunësia dhe fenomene të tjera negative. Në këtë Muaj të shenjtë, të reflektojmë për të bërë ç’është e mundur, për pastrimin shpirtëror, moral e social të rinisë sonë dhe për forcimin e shtyllës më të fortë të shoqërisë, familjes.
Kemi nevojë, dhe agjerimi e jep këtë mundësi, të pendohemi për gabimet tona e t’i kërkojmë falje Zotit për gjithçka, duke u përmirësuar në funksion të përqafimit të vlerave më të mira hyjnore e humane që na mundësojnë një të ardhme më të begatë, në familjen europiane.
Le të shërbejë ky Muaj, si mesazh i qartë, se bashkërisht duhet të përpiqemi dhe pavarësisht sakrificave që kërkohen, të afrojmë më shumë zemrat tona, të zgjatim dorën e bashkëpunimit dhe të unifikojmë shqetësimet e të gjejmë zgjidhjen e tyre. Vendi ka nevojë për shpresë dhe të bashkuar ne duhet dhe mund t’ja dalim!
GËZUAR MUAJIN E SHENJTË TË RAMAZANIT!
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...
Ushtarët e KFOR-it kryejnë patrullime në qytetin e Istogut
Veliaj inspekton terminalin veri-perëndimor: Investim i ri q...
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdh...
Kryetari i LDK-së shpalos portretin e Xhemail Mustafës në pë...