Google ADS

Mbrojtja e të kthyerve nga Siria sfidë për avokatët

08:31 | 5 Maj 2019
Arbresh.info

Mbrojtja e të kthyerve të fundit nga Siria po konsiderohet si sfidë për Kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) Osman Havolli.

Nga Siria u kthyen katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

Nga një muaj para burgim i është caktuar katër të dyshuarve për terrorizëm. Kurse 28 grave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj.

Havolli i tha Ekonomia Online se avokatët kosovarë, mbrojtja e këtyre rasteve në fillim ka qenë e vështirë, për çka është dashur që t’u jepen informacione shtesë dhe të diskutohen disa çështje.

“Ka qenë sfidë edhe për avokatët, sepse ishte një grup shumë i madh i tyre. Pastaj nuk bëjnë pjesë në veprat, të cilat kanë ndodhë në Kosovë, por është çështja me deportim nga një shtet tjetër. Deportimi prej Sirisë dhe sjellja e tyre në Kosovë, ka sjellë deri te koncepti i ndërtimit të mbrojtjes. Ka pas disa çështje që është dashtur të diskutohen dhe t’u shpjegohen, t’u japin informacione në çështjen e trajtimit sa më adekuat në aspektin juridiko-profesional”, tha ai.

Sipas tij, këto raste më tej duhet të trajtohen me atë kujdes dhe seriozitet, që këta persona të mos e ndjejnë veten të urryer në Kosovë.

“Sigurisht që ky proces gjyqësor do t’i kushtojë Kosovës. Mirëpo, pavarësisht prej kësaj kostoje ne duhet të jemi të lumtur që i kemi kthyer këto gra dhe fëmijë që janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe nuk mund t’i atribuohemi në përcaktime tjera dhe ne duhet t’i trajtojmë me shumë seriozitet dhe në mënyrë të kujdesshme, pa kurrfarë dallimi që mund ta ndjejnë veten që shkuarja apo kthimi i tyre është krijuar një lloj mosdisponimi ndaj tyre apo një lloj urrejtje”.

“Unë mendoj se më e rëndësishme është t’i kemi njerëzit kosovarë të kthyer në Kosovë. Gjykata dhe Prokuroria duhet ta bëjnë punën e vet por nuk duhet të jetë kanosshmëria ndaj tyre se të gjithë do përfundojnë në dënueshmëri apo në burg. Sigurisht që Gjykata do t’i matë të gjitha këto parametra, në kuadër të punës, aktiviteteve të cilat i kanë bë”, tha ai.

Pavarësisht kostos që shtetit të Kosovës mund t’i ketë kushtuar kthimi në Kosovë i 110 personave nga zonat e konfliktit në Siri, më me rëndësi po shihet kthimi i tyre.

Havolli, është shprehur se Kosovës i ka kushtuar shumë ky proces, por që më të rëndësishme e sheh kthimin e tyre, sidomos të 74 fëmijëve për të cilët ai kërkon trajtim të veçantë, pasi thotë se thotë se tashmë janë edukuar në frymë tjetër.

“Autoritetet e shtetit të Republikës së Kosovës duhet të merren seriozisht me këta njerëz të kthyer. Me siguri se ky i ka kushtuar shumë shtetit të Kosovës. I ka kushtuar me interesimin e institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërlidhja e aktiviteteve për sjelljen dhe deportimin e tyre”.

“…marrja me këtë punë sigurisht e ka një kosto jo edhe të vogël dhe sjellja e tyre prej Sirisë sigurisht me vështirësi të mëdha për tërheqjen prej kthetrave me një shtet ku kanë qenë të izoluar. Sigurisht se disa prej tyre kanë qenë të lumtura që janë kthyer, por ka qenë e pamundur në situata dhe periudha të caktuara ta shfrytëzojnë këtë mundësi për tu kthyer”.

Kurse avokatja e njërës prej grave të kthyera nga Siria, Marigona Shabani, tregon se si e mbrojtura e saj kishte shkuar në Siri dhe si u mashtrua nga vajzat tjera për të shkuar atje për një jetë më të mirë.

“Në bazë të asaj se çfarë ka thënë e mbrojtura ime, ajo ka qenë viktimë e disa vajzave, të cilat e kanë ftuar atje dhe i kanë thënë që ‘këtu është jeta e mirë. Nuk ke nevojë me u brengosë për gjëra materiale’… Dhe me këto fjalë është mashtruar dhe ka shku. Kur ka shku atje gjendja faktike ka qenë krejt ndryshe. Atje ka qenë luftë, është përpjek disa herë të kthehet por nuk ka mundur”.

“Fillimisht është taku me ato vajzat. Fillimisht ka thënë se ka qenë mirë, pastaj është martuar dhe ka filluar lufta dhe që vazhdimisht kemi ndërruar vendbanim për shkak të luftës, bombardimeve”.

“Kanë shku deri në Turqi, e pastaj prej Turqisë ka kaluar në Siri. E mbrojtura ime ka marrë lëndime të rënda trupore edhe fëmijët e saj. Më i madhi është 3 vjeçar, më i vogli është 6 muaj të cilët janë të lënduar edhe ata”.

Për shkak të lëndimeve trupore që ajo dhe fëmijët e saj kanë marrë, Shabani thotë se ka kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak, mirëpo që nuk është marrë parasysh.

Megjithatë, ajo shton se duke u bazuar në gjendjen e tyre shëndetësore, kjo masë mund të merren në konsideratë prapë dhe të ndryshohet.

“Unë si avokate kundërshtova masën dhe propozova masën ‘Paraqitja në stacionin policor’. Tashmë është marrë aktvendimi ku të mbrojturës time dhe të gjitha të tjerave iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Unë kundërshtova prapë, e bëra ankesën, tash të shohim”.

“Bazuar në peshën e veprës penale nuk kam shumë shpresa, por bazuar në gjendjen faktike të cilën e mbrojtura ime është nënë e tre fëmijëve dhe të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor, kërkojnë përkujdesje bajagi të madhe, atëherë është një farë shprese që ka me u aprovuar edhe ankesa”.

Sipas avokates, ajo është penduar për shkuarjen në Siri, ndërsa vetë thotë se institucionet e vendit tani duhet të bëjnë më shumë për gjendjen e të kthyerve, ashtu që të mos paraqesin rrezik.

“Është penduar dhe është gëzuar shumë që është kthyer në vendin e saj dhe që është e lirë, e që është penduar shumë sepse ajo nuk ka shku me luftuar, se ne jemi popull që kemi dalë prej luftës, vetë e dimë se çka kemi përjetuar në kohë të luftës”.

“Institucionet tona duhet të bëjnë më shumë për riintegrim, rehabilitim, risocializim të këtyre sepse nuk është gjendja e mirë e tyre dhe kanë nevojë për trajtim. Në bazë të përgjigjeve duket një vajzë shumë e mençur por pak e ndrojtur. Po të punon mirë shteti ynë, si gjykatat, të merren me ta si duhet nuk besoj se do paraqitet rrezik”, tha ajo.

Më shumë se 300 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik. Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme