Revista amerikane “Time” e ka përfshirë profesorin Valter Longo në listën e 50 personazheve me më shumë ndikim për vitin 2018.
Në ndryshim nga studimet e mëparshme rreth plakjes, të cilat janë bazuar kryesisht te veprimi i radikaleve të lira dhe stresit oksidativ në organizëm, Valter Longo, një zë ndryshe në fushën e shkencës, propozon të studiojmë fazat që i paraprijnë asaj, domethënë rininë.
Cilët janë eliksiret më efikase të rinisë?
Nga pikëpamja gjenetike, nuk mund të bëjmë shumë, pasi nuk mund ta ndryshojmë ADN-në. Megjithatë ekziston një mënyrë për të jetuar sa më gjatë: ushqimi. Para së gjithash, duhet të mësojmë të kontrollojmë sasinë e ushqimit që hamë çdo ditë.
Si mund të arrihet kjo?
Është e këshillueshme që çdo katër muaj, të ndjekim për disa ditë një dietë agjërimi. Bëhet fjalë për një regjim ushqimor të varfër në kalori dhe proteina shtazore, por të pasur në karbohidrate komplekse. Studime të ndryshme kanë provuar se rënia në peshë ndihmon qelizat të rigjenerohen dhe redukton rrezikun e shfaqjes së inflamacioneve. Ky regjim nuk ka asnjë efekt anësor në trupin e njeriut. Deri më tani, kemi ndjekur rastet klinike të qindra pacientëve. Gati 100,000 njerëz kanë provuar këtë program dhe rezultatet janë shumë premtuese. Tani po presim përgjigjet e reja se si kjo dietë parandalon sëmundje të ndryshme. Gjatë kohës që nuk agjëroni, është e këshillueshme të ndiqni një regjim me bazë peshku.
Çfarë nënkuptoni me regjim me bazë peshku?
Duhet të përzgjidhni ushqime me origjinë bimore, si perime, bishtajore dhe pak fruta të freskëta e të thata. Duhet të konsumoni 2-3 herë në javë peshk, si dhe të reduktoni përdorimin e mishit dhe produkteve të tjera me origjinë shtazore. Ky regjim ushqimor ndiqet nga popujt më jetëgjatë në botë, edhe pse me ndryshime fare të vogla, çka është një provë tjetër se ky është regjimi i duhur kundër procesit të plakjes. Sipas njerëzve që kanë jetuar mbi 100 vjeç, duhet ngrënë vetëm tre here në ditë, si dhe të ndiqet një lloj agjërimi 12-orësh nga vakti i darkës deri në mëngjes. Personat që janë mbi peshë duhet të hanë dy vakte të plota, si dhe një zëmër, pra, një vakt të ndërmjetëm.
Pse produktet me origjinë bimore janë kaq të rëndësishme për njeriun?
Do t’ju përmend dy arsye shumë të forta. Para së gjithash, këto produkte janë shumë të pasura me lëndë ushqyese. Ato furnizojnë organizmin me të gjithë përbërësit e nevojshëm që forcojnë sistemin imunitar, ndihmojnë në krijimin e qelizave të reja dhe riparojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira. Nga ana tjetër, nuk e nxitin sistemin të plaket. Pra, nëse sistemi ynë ngadalëson procesin e plakjes, mund të jetojmë më gjatë dhe shëndetshëm.
Çfarë roli luan aktiviteti fizik?
Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien tonë. Ai ndikon në rënien në peshë, forcon sistemin imunitar, parandalon veprimin e radikaleve të lira (molekula që përshpejtojnë plakjen), si dhe nxit funksionin e disa organeve dhe sistemeve. Duhet theksuar që njerëzit pasivë plaken më shpejt se ata që kanë jetë aktive. Është e këshillueshme të bëni të paktën dy orë e gjysmë aktivitet fizik në javë dhe të lëvizni sa më shumë. Për fat të keq, tani lëvizim më pak. Të gjithë kemi në shtëpi fshesë me korrent, kurse në vend të shkallëve përdorim ashensorin. Prandaj, bëni mirë të ktheheni pak pas në kohë, atëherë kur njerëzit ecnin dhe lëviznin më shumë se tani.
Sipas disa ekspertëve, të qenët aktiv në shoqëri ngadalëson procesin e plakjes. A është e vërtetë?
Mendoj se po. Njerëzit e vetmuar janë më të prirë ta lënë veten pas dore dhe të izolohen, ndërsa të kesh shokë, të dalësh dhe të ndërveprosh me të tjerët e bën sistemin neurobiologjik më aktiv, duke përmirësuar profilin e tij imun, hormonal dhe metabolik. Megjithatë, nuk mendoj se kjo është absolute. Edhe ata që janë të tërhequr nga shoqëria, mund të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm. Marrim shembullin e disa njerëzve që arritën mbi të 100-at. Në të shumtën e rasteve ata jetonin vetëm dhe kjo nuk i penalizoi. Përkundrazi, i ndihmoi të përqendroheshin dhe të gjenin stimuj të rinj te gjërat e vogla të së përditshmes.
A ndikon stresi në procesin e plakjes?
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Sipas kësaj logjike i bie që njerëzit që jetojnë në kryeqytete dhe kanë jetë më frenetike, plaken dhe ndërrojnë jetë më shpejt. Madje, disa lloje stresi e përforcojnë organizmin e njeriut. Megjithatë nuk mund të mohoj që disa prej tyre na plakin më shpejt. Si pasojë, rritet niveli i adrenalinës dhe kortizolit, dy hormone me veprim të dyfishtë në organizëm. Nga njëra anë forcojnë sistemin imunitar dhe funksionojnë si mburojë për shumë sëmundje, por nga ana tjetër ndryshojnë sistemin neuroendokrin.
Si duhet vepruar në këtë rast?
Zgjidhja është shumë e thjeshtë: nuk duhet të mendoni vetëm për punën dhe përgjegjësitë, por të merrni periudha pushimi dhe t’u kushtoni kohë vetes dhe gjërave që pëlqeni. Tregohuni të kujdesshëm ndaj gjumit. Një gjumë i mirë dhe me orar të plotë luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e plakjes. Ai ka një rëndësi të veçantë edhe në aspektin biologjik. Nevoja për të fjetur ka lindur bashkë me evolucionin e njeriut, pra, është e nevojshme. Nëse nuk flini mjaftueshëm, nuk i jepni mundësi organizmit të ripërtërihet. Një i rritur ka nevojë për 7 deri 8 orë gjumë në natë mesatarisht, që të pushojë plotësisht. Megjithatë, duhet ta llogarisni atë në bazë të nevojave të trupit tuaj.
A na ndihmon optimizmi të jetojmë më gjatë?
Sigurisht që po. Disa nga rekordet botërore të jetëgjatësisë janë regjistruar në San Marino dhe Montekarlo, dy vende që kanë sistemet shëndetësore më të mira në botë. Nëse një vend nuk e ofron këtë lloj shërbimi, nuk do të thotë se popullsia e tij ka marrë fund. Njerëzit pesimistë janë më të prirë të mos kujdesen për shëndetin. Nuk shkojnë te doktori, nuk bëjnë asnjë lloj kontrolli mjekësor, e thënë ndryshe, nuk bëjnë asgjë për të shmangur procesin e plakjes. Ndërkohë, njerëzit optimistë janë më të kujdesshëm. Ata bëjnë gjithçka për t’u ndier sa më mirë dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm. /Living
I pandalshëm Ronaldo, 39-vjeçari realizon tjetër gol me Port...
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...