Google ADS

Mogherini s’e ka ndërmend t’ia lërë dialogun Kosovë-Serbi, Gjermanisë dhe Francës

18:22 | 2 Maj 2019
L G

Më 29 prill, liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë në Samitin e Berlinit, organizim ky i kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Në këtë Samit, morën pjesë edhe liderët e Kosovës, përfshirë këtu presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj.

Pas përfundimit të takimeve, kryeministri Haradinaj ishte shprehur i kënaqur me angazhimin e Gjermanisë dhe Francës për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas deklaratave të përfaqësuesve kosovarë, tanimë dialogu do të merrte një kahje krejtësisht të re dhe suksesi do të ishte i sigurtë në duart e dy fuqive të Bashkimit Evropian.

I shpejtë kishte qenë edhe reagimi i zyres për media të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherinit, ku zëdhënësja Maja Kocijançiq kishte deklaruar se janë tejet falenderues për angazhimin e kancelares Merkel, por drejtimin e dialogut do ta mbante Bashkimi Evropian.

Mirëpo, sipas burimeve të Ballkani.info, dialogu i “ri” do të ‘merret’ në dorë nga dy shtetet më të fuqishme të BE-së, Gjermania dhe Franca.

Ballkani.info ka folur sot me zëdhënësen e Mogherinit, Maja Kocijançiq, duke e pyetur rreth këtyre informacioneve se sa qëndrojnë.

Në përgjigjen e saj, Kocijançiq ka theksuar edhe njëherë se dialogu do të mbetet i drejtuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Feederica Mogherini, por e ka mirëpritur çdo bashkëpunim dhe angazhim të kancelares Merkel dhe presidentit Macron.

“Përfaqësuesja e Lartë, njëkohësisht edhe nënpresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, ka marrë pjesë në takimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, takim ky i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Takimi ka ofruar mundësi për shkëmbim informacionesh dhe pikëpamjesh, të cilat ishin të hapura dhe të sinqerta”, ka thënë Kocijançiq për Ballkani.info.

Tutje, ajo ka thënë se ky takim ka treguar edhe interesimin për angazhim të Gjermanisë dhe Francës, të cilat së bashku me shtetet e tjera kanë treguar angazhim për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kocijan#iq ka thënë se gjatë qëndrimit në Berlin, Mogherini ka mbajtur disa takime bilaterale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor ku është diskutuar rreth situatës në rajon.

“Përgjatë takimeve të liderëve me Mogherinin, është afirmuar edhe njëherë rëndësia dhe angazhimi për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe shoqërore, ku Marrëveshja e Prespës ka treguar një shembull historik për tu bazuar”, ka thënë ajo për Ballkani.info.

Të gjithë liderët e shteteve që kanë qenë prezent në takim, sipas Kocijançiqit, kanë diskutuar rreth progresin e së ardhmes dhe perspektivat drejt BE-së.

Tutje, ajo ka thënë se do të mirëpresin çdo angazhim dhe mbështetje ndaj Dialogut të drejtuar nga BE-ja, duke hedhur poshtë kështu pretendimet se drejtimin e dialogut do ta marrin në dorë veçanërisht Gjermania dhe Franca.

Ndryshe, Kocijançiq ka thënë se kontakti mes Përfaqësueses së Lartë së BE-së, Federica Mogherinit dhe shteteve të tjera që janë mbështetëse të dialogut, do të vazhdojë tutje.

“Kontakti jonë do të vazhdojë, përshembull Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, do të marrë pjesë në takimin e radhës në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, takim ky që do të mbahet në Tiranë më 8 dhe 9 Maj, ku prezent do të jenë liderët e shteteve”, ka thënë ajo.

Në fund, Kocijançiq ka thënë se Mogherini është e gatshme ta rimbledhë edhe njëherë dialogun, por ka thënë se për ta realizuar këtë, tanimë është e qartë që Qeveria e Kosovës duhet ta suspendojë vendimin për taksën që të lejojë rifillimin e shpejtë të dialogut. /Ballkani.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme