Thirrja telefonike e të akuzuarit për vrasje të rëndë, Naser Pajazitaj, ka qenë një nga provat në të cilat është thirrur Gjykata Themelore në Pejë, e cila më 25 mars 2019, e kishte dënuar atë me burgim të përjetshëm, pasi ishte shpallur fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Pajazitaj ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit, më pas e kishte kthyer lëndën në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila është thirrur në prova të reja që nuk janë bërë gjatë hetimeve, përfshirë këtu listën e thirrjeve telefonike nga i akuzuari.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin e arsyetuar në formë të shkruar, e që ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët Lumturije Muhaxheri dhe Sali Berisha.
Në këtë aktgjykim, thuhet se kjo gjykatë ka konstatuar përmes provave të administruara në shqyrtimin kryesor se i akuzuari Naser Pajazitaj, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Sipas kësaj gjykate, provë e re ka qenë lista e thirrjeve nga i akuzuari që ka bërë në ditën kritike, me ç’rast është aktivizuar antena, e cila mbulon bjeshkën e Strellcit.
“Që të vërtetohet se alibia e të akuzuarit është e rrejshme si dhe të lidhet i akuzuari me vendin e ngjarjes në bjeshkën e Strellcit, gjykata përmes urdhëresës ka siguruar një raport nga policia lidhur me hartografinë, që nuk ishte bërë gjatë hetimeve. Nga raporti i policisë lidhur me thirrjet e të akuzuarit pasi që është zhdukur Donjeta, rezulton se i akuzuari në ora 15:19 ka thirr dëshmitarin Zeqir Zeqaj. Në momentin e thirrjes e kishte aktivizuar antenën në fshatin Zllapek, të emëruar “Zllapek_I”. Kjo antenë, sipas raportit të policisë e të verifikuar nga raporti i zyrës ligjore të “PTK Vala”, mbulon edhe bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.
Në aktgjykimin e arsyetuar me shkrim, thuhet se deklarimet e të akuzuarit Pajazitaj lidhur me ditën kritike rezultojnë të jenë të pavërteta.
“Deklarimi i të akuzuarit Naser Pajazitaj në ditën kritike se pas varrimit Shefqet Zeqës, rreth orës 14:15 ose rreth 14:30, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë, ka pi kafe me bashkëshorten dhe kah ora 15:00 apo 15:20 kishte ardhur dëshmitari Zeqir Zeqaj e ka marrë atë dhe bashkëshorten e tij dhe kanë shkuar në Pejë që t’i merr disa të holla që i kishte dërguar vajza e tij, sipas Gjykatës nuk rezulton të jetë i vërtetë. Nga të dhënat e PTK-Vala nuk rezulton të jetë ashtu. Në ora 15: 19 i akuzuari me numrin e tij të telefonit ka thirr në numrin e telefonit të Zeqir Zeqaj dhe ka aktivizuar antenën në Zlluapek, e jo ne Strellc apo Lubeniq, si antena me të afërta nga shtëpia e tij, dhe të cilat zakonisht i aktivizon. Antena në Zllapek siç u theksua me lartë e mbulon edhe Bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima. Dëshmitari Zeqaj nuk pranon te ketë biseduar në telefon me të akuzuarin, por listingu ekziston dhe është e pakontestueshme qe thirrja është bërë. Për këtë gjykata dëshmitarit Zeqaj nuk i fal besimin”, theksohet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Aty thuhet se kur i akuzuari Naser Pajazitaj, me veturën e tij e ka marrë tani të ndjerën dhe e ka dërguar rrugës për në bjeshkën e Strellcit, është aktivizuar antena, e cila mbulon pikërisht këtë bjeshkë dhe se vendi ku është gjetur tani viktima, ishte i qasshëm me veturën e tipit “Xhip”, të cilën e kishte i akuzuari.
“Andaj, duke pas parasysh se i akuzuari e ka marr Donjetën, e ka dërguar rrugës për në bjeshkën e Strellcit, si dhe e aktivizon antenën e cila mbulon pikërisht në Bjeshkën e Strellcit, gjykata gjen se i akuzuari ka marr Donjetën dhe e ka dërguar në bjeshkë ku edhe është gjetur e vdekur. Vendi ku është gjetur trupi i pajetë i viktimës është i qasshëm me vetura xhip, çfarë edhe i akuzuari e kishte veturën e tillë. Sipas raportit të policisë të datës 21.12.2018, deri ne vend të ngjarjes me vetura të policisë arrihet brenda 13 minutave në rrugë të mbuluara me borë. Pra, nëse analizohet, ka qenë kohë e mjaftueshme për të akuzuarin që të shkoj deri në bjeshkë, të gjej një vend të përshtatshëm, ta vejë në pozicion të detyruar siç deklaron eksperti mjekoligjor, të vras viktimën dhe të kthehet”, thuhet tutje në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Sipas aktgjykimit, përmes ekspertizës mjekoligjore të Dr.Naim Uka, gjykata ka vërtetuar faktin se tani e ndjera ka qenë e vdekur të paktën një muaj para se të kryhet autopsia, e që sipas gjykatës, koha e zhdukjes së viktimës ishte edhe dita e vrasjes së saj.
Sipas kësaj gjykate se i akuzuari e kishte marrë me veturën e tij në ditën kritike Donjeta Pajazitaj vërtetohet nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitarit Alberim Mujaj.
“Se i akuzuari ishte ndalur në vendin ku e ka marr viktimën vërtetohet nga kamerat e sigurisë se shtëpisë së Nedi Jusaj, kamerë kjo e vendosur në pjesën anësore të shtëpisë, në fund të shtëpisë mbi ballkon e identifikuar si incizimi “Shtëpia Nedi Jusaj “. Këtu shihet qartë vetura e ndalur dhe dera duke u mbyllur. Këtë fakt nuk e konteston as mbrojtja e të akuzuarit. Se i akuzuari e kishte marrë viktimën vërtetohet edhe përmes deklaratës së dëshmitarit Alberim Mujaj, i cili kishte biseduar me dëshmitarin Qendrim Jusaj. Dëshmitari Qendrim Jusaj i kishte thënë dëshmitarit Alberim Mujaj se e kishte pa te akuzuarin qe e kishte marr një person me flokë te bardha, por ka menduar qe është mësuesja, vajza e Haki Pajazitaj. Këtë sipas dëshmitarit Alberim e kishin verifikuar policia menjëherë dhe ka rezultuar se nuk kishte qenë vajza e Hakiu”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Gjithashtu, në arsyetim përmendet edhe deklarata e dëshmitarit Qëndrim Jusaj, sipas të cilit ai e kishte parë të akuzuarin me një vajzë me flokë të bardha në veturë dhe për këtë i kishte thënë dëshmitarit Alberim Mujaj, i cili ishte duke hetuar rastin.
“Për këtë fakt, i akuzuari Naser Pajazitaj në polici e kishte pranuar faktin se kishte qenë me vajzën e tij Arjetën të rregullojë disa dokumentacione në zyrën e regjistrimit paradite dhe pasdite, kah ora 14:00 dhe se vajza e tij Arjeta kishte qenë e ulur në ulësen e pasme. Mirëpo, kjo ishte demantuar nga vet vajza e të akuzuarit Arjeta Ukaj e cila në deklaratën e saj të dhënë në polici kishte deklaruar se më 9 nëntor 2015 tërë ditën kishte qenë në shtëpi duke pastruar dhe zyrtarët e gjendjes civile të cilët pas verifikimit të regjistrave kanë konstatuar se më 9 nëntor 2015, nuk kishte pasur ndonjë aktivitet Naser Pajazitaj apo ndonjë anëtar i familjes së tij. Pasi që ishte verifikuar se i akuzuari nuk kishte qenë me Arjetën në qendrën e regjistrimit civil, i akuzuari e ndryshon deklarimin e tij lidhur me këtë rrethanë në prokurori. Në prokurori deklaron se atë ditë kishte dal me vajzën e tij, por kishte qenë vetëm paradite, ndërsa kur ka kaluar me veturë që shihet në incizim, ka qenë duke shkuar ne varrimin e Shefqet Zeqaj, dhe pas varrimit ka shkuar në shtëpi, e pastaj se bashku me bashkëshorten Dushën dhe dëshmitarin Zeqir Zeqaj kanë shkuar në Pejë”, thuhet tutje në aktgjykim.
Mirëpo, kjo deklaratë e të akuzuarit Naser Pajazitaj, sipas gjykatës, ishte deklaratë e rrejshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Por, edhe kjo pjesë e deklaratës së të akuzuarit ishte e rrejshme. Së pari ishte shumë e palogjikshme që të shkohet në varrim me veturë, duke e bërë tërë atë rrugë, kur varrezat ishin shumë me afër që të shkohet në rrugën e Zeqajve dhe Kamajve, e jo te sillet krejt rreth nga rruga e Jusajve, të kthehet nga rruga e “Bunarit të Fushës” dhe të shkojë në varrim. Për këtë i akuzuari nuk jep sqarim pse ka shkuar ne varrim në rrugë aq të gjatë. Se dyti, asnjë dëshmitar nuk e konfirmon se e kanë pa ne varrim. Dëshmitaret që kishin qenë me të, Azemi dhe Jetmiri deklarojnë se nuk e kanë pa në varrim, dëshmitari Shefqet Zeqaj deklaron se sa i kujtohet e ka pa ulur, por nuk është i sigurt, vëllezërit e të akuzuarit, Nysreti dhe Tafili (që i akuzuari ne polici kishte thënë se ka qenë me ta) deklaruan se nuk e kanë pa në varrim, dëshmitari Sami Rabushaj thekson se e ka pa te drumi, por jo në varrim, edhe dëshmitari Qamil Pajazitaj deklaron se në varrim nuk e kishte pa”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Për të gjitha këto, Gjykata Themelore e Pejës, thekson se ka vërtetuar se i pandehuri Naser Pajazitaj në ditën kritike, më 9 nëntor 2015, rreth orës 13:44:27, e kishte marrë viktimën Donjeta Pajazitaj në fshatin Strellc i Ulët, afër shtëpisë së Nedi Jusaj, gjithashtu thuhet se është vërtetuar se alibia e të akuzuarit ishte e rrejshme, pasi që sipas aktgjykimit, ishte vërtetuar se atë ditë në kohën kur është marrë viktima, ajo është zhdukur. Po ashtu, thuhet se është vërtetuar se i akuzuari është lokalizuar në bjeshkën e Strellcit dhe se është vërtetuar se viktimën e kishte dërguar në bjeshkën e Strellcit, ku më pas ajo është gjetur e vdekur më 17 dhjetor 2015.
“Nga sa u elaborua me lartë gjykata ka vërtetuar gjendjen faktike siç është përshkruar në dispozitivin e këtij aktgjykimi. Viktima është zhdukur me datë 09.11.2015 ne ora 13:44, ndërsa i akuzuari është lokalizuar në vendin e ngjarjes në ora 15:19, pra koha kur është kryer vrasja ka qenë intervali kohor nga 13:44 gjer ne ora 15:19”, thuhet në arsyetim.
Ndër të tjera, Gjykata Themelore në Pejë, thekson se në vitin 1992, i akuzuari e kishte vra një fëmijë 15 vjeçar për shkak të hakmarrjes për vrasjen e vëllait të tij dhe për këtë ishte dënuar me 20 vite burgim, aktgjykim i cili ishte vërtetuar nga tri shkallët gjyqësore.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kurse e kishte dënuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për çka Pajazitaj, ishte dënuar me dënim unik prej një dy vjet e katër muaj burgim.
Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.
Mirëpo, në tetor 2018, pas ankesës që Prokuroria Themelore në Pejë kishte ushtruar kundër këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” theksohet se gjykata e shkallës së parë, nuk ka arritur të vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, ngase sipas Apelit, ka kundërthënie në deklaratën e dëshmitarëve Arjeta Ukaj, vajza e të akuzuarit mes deklaratës së saj dhe prindit Naser Pajazitaj, i cili ka deklaruar se ditën kur ka ndodhë vrasja e tani të ndjerës Donjeta, ka dalë me vajzën e tij dhe pastaj ka shkuar në varrim, mirëpo gjatë dëgjimit në prokurori e njëjta ka deklaruar se ditën kur është zhdukur Donjeta ‘unë nuk kam dal nga shtëpia’, mirëpo pas presionit nga familjarët, e njëjta e ka ndryshuar deklaratën.
Po ashtu sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet të administrojë provat dhe të vërtetojë vendndodhjen e të akuzuarit në ditën kritike dhe se e ndjera Donjeta Pajazitaj a ka qenë në veturën e tani të akuzuarit, ngase nga raporti i hetuesve Albrim Mujaj dhe Veton Kelmendi është konstatuar se një dëshmitar që ka dashur të mbetet anonim, kishte deklaruar se ditën kritike rastësisht e ka vërejtur Naser Pajazitaj, me veturën “Grand Shiroka”, pikërisht afër shtëpisë së Haki Pajazitaj, i cili ishte ndalur më 13:40, dhe kishte marrë ndokënd, e që dyshon se pikërisht kishte marrë të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Sipas Apelit, nga kjo del se një vërtetim i tillë i gjendjes faktike, është nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 par.1 nënpar.1.12.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.
Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.
Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishekë dhe një armë e tipit “AK 47”.
Vuçiqi mohon përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Ib...
Muja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve: Furnizimi i plotë me ...
Osmani takon komandantin e KFOR-it: Sulmi terrorist ndaj inf...
Sulmi në Ibër Lepenc, Osmani priti në takim ambasadorë të sh...
Konjufca: Tentativat e bandave të dirigjuara terroriste do t...
Sulmi në Ibër Lepenc, Kurti: Institucionet tona të sigurisë ...