Google ADS

Testimi ndërkombëtar TIMSS do të tregojë se cila është gjendja e arsimit në Kosovë

14:45 | 1 Maj 2019
Arbresh.info

Që nga 23 prilli në vend është duke u zhvilluar testimi ndërkombëtar i prirjeve në matematikë dhe shkencë, testim i cili do të ofrojë informacione se cila është gjendja e arsimit në Kosovë.

Në këtë testim që në Kosovë është duke u mbajtur për herë të parë, janë duke marrë pjesë 145 shkolla me gjithsej 500 nxënës të klasave të 4-ta. Rezultatet e nxënësve nga Kosova do të krahasohen me rezultatet e nxënësve të tjerë të moshës së njëjtë nga më shumë se 60 shtete të tjera pjesëmarrëse në TIMSS.

Në një intervistë për KosovaPress, zëvendësministri i Arsimit Heset Sahiti, ka thënë se përmes këtij vlerësimi ministria do të mbledhë informacione për zbatimin e kurrikulave në shkollat e Kosovës.

Sahiti ka deklaruar se rezultatet e vlerësimit TIMSS do të shfrytëzohen nga MAShT për reforma dhe politika arsimore, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Është një test ndërkombëtar i rëndësishëm, sepse nga ky test ne e marrim një pasqyrë të gjendjes së arsimit në vendin tonë të ciklit të ulët në shkollat fillore. Vlerësohet lënda e matematikës, shkencat natyrore, por gjithashtu mbledh edhe shumë informacione rreth mësimdhënies, rreth gjendjes së shkollave, kushteve në shkolla, metodat mësimore. Përveç që pyetësorët apo testet do t’i mbushin nxënësit disa formularë do t’i plotësojë edhe prindi për gjendjen e nxënësit në fëmijërinë e hershme, mandej do të plotësohen pyetësorët nga mësimdhënësit dhe nga shkolla. MAShT-it ky vlerësim ndërkombëtar do t’i shërbejë për reformat e mundshme në politikat tona të arsimit”, ka thënë ai.

Zëvendësministri Sahiti ka thënë se në bazë të përgatitjeve që janë bërë presin që nxënësit të tregohen të suksesshëm në këtë testim.

Ai ka potencuar se pyetjet në këtë testim janë të përshtatshme për moshën e nxënësve, për çka thotë se presin që ata të tregohen të suksesshëm.

“Marrin pjesë rreth 145 shkolla të përzgjedhura sipas rastit, janë mbi 219 klasë dhe rreth 480 nxënës. Presim një rezultat, sidoqoftë rezultati e jep një pasqyrë të gjendjes së arsimit këtu. Mandej pritet që analizat e këtij testimi TIMSS të vijnë vitin tjetër, në 2020, dhe t’i shohim rezultatet e testit”, është shprehur ai.

Sahiti ka deklaruar se si Ministri i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e këtij testimi, derisa thotë se një vit më parë kanë bërë një testim pilot në mënyrë që nxënësit dhe mësimdhënësit të adaptohen me testin.

“Ministria në 2018 ka bërë një testim pilot, i ka pacaktuar koordinatorët, i ka përzgjedhur edhe administratorët për mbarëvajtjen e testit, i ka përgatitur të gjitha materialet me kohë dhe veç është mbajtur në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës. Normalisht që ka vështirësi sepse terreni është mjaftë i gjerë i shpërndarjes së këtyre materialeve, mirëpo sipas divizionit që merret me organizimin e këtij testi mendoj që do të dalim me sukses”, ka potencuar ai.

Sahiti ka folur edhe për përmbajtjen e testeve që nxënësit do të plotësojnë, duke thënë se ato janë të përshtatshme për moshën e tyre.

“Në të gjitha regjionet, jo për të gjitha shkollat, shkollat janë të përzgjedhura se parimi i testit është që të marrin pjesë sa më shumë nxënës dhe prej aty të nxirret vlerësimi. Testet janë profesionale, sepse organizata që i ka përgatitur testet të përkthyera në gjuhën shqipe të përshtatshme për nxënësit tanë, paraqet kompleksitetin e detyrave sikurse për vendet tjera të botës”, ka thënë ai.

Testimi ndërkombëtar i prirjeve në matematikë dhe shkencë do të zgjasë deri më 10 maj. Testi TIMSS organizohet nga Organizata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve në Arsim-IEA, implementohet nga MAShT -Divizioni për Sigurim të cilësisë, Standardeve, Vlerësimit dhe Licencimit dhe mbështetet nga projekti Kosovo Educaion Sector Improvement (KESIP) i Bankës Botërore dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme