Google ADS

Basha: Largimi i Ramës kusht për dialog, nesër bllokojmë rrugët

12:09 | 1 Maj 2019
Arbresh.info

Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi i opozitës.

Kështu ka deklaruar lideri i opozitës, kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Ndonëse u duk sikur kishte një lëvizje të re dhe mundësi ëpr dialog mes opozitës dhe maxhorancës, Basha tha sot para mediave se largimi i kryeministrit Edi Rama është kusht për dialog.

Ai deklaroi se nesër në orën 11:00 do të ketë një prezantim nga koalicioni opozitar të planit për qeverinë tranzitore dhe në orën 18:00 të së enjtes do të ketë sërish bllokim të disa akseve kombëtare.

“Me zonjën Kryemadhi dhe me të gjithë aleatët po konkludojmë hapat që opozita do të hedhë për përshkallëzimin e aksionit opozitar. Jemi në një krizë të thellë, një krizë politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale dhe siç u bë e qartë dhe 24 orët e fundit dhe një krizë totale të procesit më jetik për Shqipërinë, të integrimit të vendit në BE. Shkaku i kësaj krize është qeveria e lidhur me krimin që ka asgjësuar Kushtetutën, ka asgjësuar demokracinë, ka asgjësuar zgjedhjet, themelin e llogaridhënies së qeverisë para qytetarëve që është vota e lirë. Ndaj ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Nesër nga ora 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, theksoi kreu i PD.

Basha deklaroi se ndërkohë po punojmë instensivisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike, për ofertën tonë për shqiptarët, jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza por për t’iu dhënë atyre sigurinë, lirinë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjithë.

Pyetjes nëse do të ulet në një tryezë ku të jetë i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama kreu i PD-së iu përgjigj: “Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe të koalicionit tonë politike, koalicionit më të madh të maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore, detyrat e së cilës, në veçanti sa i përket organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i shpalosim nesër publikisht në orën 11:00 në Tiranë, në praninë e medias, përfaqësuesve më të lartë të koalicionit dhe një numri të madh të ftuarish”. Duke iu referuar takimit të aleatëve të tij me Presidentin Meta, Basha theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e tij./BW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme