Google ADS

Kosovarët “festojnë” mjerimin

10:57 | 1 Maj 2019
Arbresh.info

Dita e Punëtorit, apo 1 Maji i njëzet pas luftës së fundit, Kosovën e zë me probleme të mëdha për të punësuarit dhe shifra alarmante të papunësisë.

Viteve të para të pas luftës, në fazën e vështirë në të cilën po kalonte Kosova, ishin udhëheqësit e shtetit, që flisnin shifra për rritje të ekonomisë, përmirësimin e kushteve për të punësuarit dhe për zbutjen e papunësisë, por realiteti doli të jetë krejtësisht ndryshe, shkruan Syri.net Kosova.

Se shkalla e lartë e papunësisë, është evidente në vendin tonë tregon fakti që në Kosovë, në vitin 2018 sipas Agjencisë së Statistikave një në katër banorë në Kosovë janë të papunë.

Përveq mungesës së vendeve të punës, Kosova dhe institucionet e saj po përballen edhe me probleme të mëdha për të punësuarit aktual, pasi edhe pse ekziston Ligji i Punës, i cili garantohet nga Kushtetuta e Kosovës, si i tillë zbatohet pak dhe ka mbetur vetëm ligj në letër, sepse e drejta e punëtorit po shkelet në vazhdimësi nga punëdhënësi.

Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, 28.8 për qind ose mbi 345 mijë është numri i të punësuarve në tregun e Kosovës. Nga kjo shifër rreth 86 për qind kanë kontratë individuale, kurse pjesa tjetër punon pa kontratë.

Ilir Çitaku, kamarier në njerën prej kafiterive në vend për “SyriKosova” tregon se ka dy vite që e bënë këtë punë por ka probleme të mëdha.

“Jam qe dy vjet tu punu në këtë kafe. I marrë 200 euro rrogë dhe asnjëherë asnjëri prej punëtorëve nuk ka marrë kontratë pune, nuk na paguhen kontributet pensionale, punojmë 10 deri 12 orë në ditë, në rast të festave punojmë edhe më gjatë po i marrim vetëm ka 10 euro ma shumë në fund të muajit.

Çitaku, tregon se asnjëri prej punëtorëve nuk e ka guximin të kërkoj kontratë pune, pasi që rrezikojnë që mos po largohen nga puna.

Instituti Demokrati i Kosovës, në raportin një vjeçar për shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, tha se shkeljet e të drejtave të punëtorëve janë mjaft të mëdha dhe se shteti përmes prokurimit publik është duke lejuar që të shkelen të drejtat e punëtorëve.

Sipas KDI-së, shkelje të të drejtave të punëtorëve ka në gjithë Kosovën, që kanë të bëjnë kryesisht me mos marrjen e pagës, mos pagesën e trustit, orarin e stërzgjatur, largim nga puna pas lëndimit, pushim i detyruar me pagesë, moslejimi i ndërrimit të punës.

Kryeinspektori Basri Ibrahimi, thotë se është rritë autoriteti i Inspektoratit të Punës dhe është dyfishuar numri i ankesave krahasim me vitin e kaluar.

“Mbi 1700 ankesa, është dyfishuar numri i ankesave në krahasim me vitin e kaluar është vendimi i punonjësve dhe përmirësim i punës se Inspektoratit, është rrit autoriteti i Inspektoratit të Punës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë se janë duke hartuar një plan si t’i qasen kësaj dukurie.

Kemi filluar me koncept dokumentin për marrëdhënien e punës të cilën e kemi miratuar në Qeveri, nga i cili koncept dokument ne kemi hartuar dy projektligje, atë të marrëdhënies së punës dhe projektligjin për pushimin e lehonisë, skemës pensionale e të tjera. Ndërsa sfidë mbetet shkalla e lartë e papunësisë, tha Reçica

Ai shton se jeta e punëtorëve vlen dhe ne duhet të mbrojmë atë.

“ Do të jemi të pa kompromis, në zbatimin e legjislacionit aktual nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë por edhe këmbëngulës në përpjekjet për avancimin e mëtejmë të tij”.

Sigurimi apo mbajtja e një vendi të punës në Kosovë, në vendin me papunësinë më të lartë në Europë, vazhdimisht po cilësohet një proces i vështirë.

Por në një vend si Kosova, ku papunësia arrin normën e rreth 30 për qind, ku numri i punëkërkuesve të regjistruar ka arritur në 100 mijë dhe dy të tretat e popullsisë janë në moshë pune të grupmoshës 15-64 vjeçare, kemi kompanitë që ankohen se nuk po gjejnë punëtorë.

Si arsye, e mos interesimit të punëkërkuesve për të punuar në sektorin privat janë kushtet e punës që nuk janë si ato të cilat ka sektori publik, në këtë rast paga minimale, siguria në punë e sigurimi shëndetësor.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se punëkërkuesit mund të jenë dekurajuar nga mundësia që të gjejnë një punë në sektorin privat me kushte te mira.

“Punëtorët që janë të kualifikuar në ndërtim të lartë, do të ketë mungesë edhe më të madhe pas liberalizmit të vizave pasi që shtetet, si Gjermania, kanë hapur mundësitë që punëtorëve të kualifikuar në ndërtimtari, t’iu ofrojë punë”.

Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa për “SyriKosova” thotë se arsyeja pse ankohen bizneset se ka mungesë të fuqisë punëtore, shkaktarë është paga e vogël, sepse paga mesatare bruto është rrethë 290 euro, ndërsa kostoja e jetës është si në perendim, pastaj fuqia blerëse është e vogël.

“Zgjedhja më e mirë është fuqizimi i sektorit privat, sepse një sektor privat aktiv është vendimtar për suksesin e një ekonomie, rrjedhimisht bizneset punësojnë njerzë dhe bëjnë investime.”

Analisti Blerim Burjani për “SyriKosova”, vlerëson se nuk ka mungesë të punëtorëve por ka mungesë të pagave dhe parregullësi të mëdha.

“Jeta po shtrenjëtohet shumë ndërsa sektori privat anarkik nuk paguan punëtorët shpesh , apo me vonesë. Disa ndërmarrje paguajnë në të zezë dhe i ikin tatimeve dhe kontributeve .Me rritjen e pagave në sektorin e ndërmarrjeve shtetërore që emertohen publike dhe shërbimi civil çmimet janë të shtrenjtuar në tregje mjaft shumë, që është kunderpërgjigje për sektorin shteteror që rrit pagat me parat e sektorit privat nga taksat e tyre. Kjo hakëmarrje e sektorit privat po ndodh vazhdimisht dhe të gjitha çmimet janë shtrenjtuara”.

Në Kosovë edhe në sivjet vazhdon debati i rritjes se pagës minimale, e cila nuk ka ndryshuar fare që nga viti 2011, ndonëse ka pasur shumë lëvizje ekonomike dhe ndryshime pagash në sektorin publik e që ka shkaktuar pakënaqësi për sektorin privat.

Kohë më parë Partia Socialdemokrate, i bëri kërkesë kryeministrit të Kosovës, që të rrisë pagën minimale duke thënë se edhe ai do të kërkonte ta linte Kosovën sikur të paguhej vetëm 170 euro, aq sa është paga minimale në vend.

Deputeti Visar Ymeri, për “SyriKosova” thotë se kjo parti , tashmë ka nisur edhe një peticion për rritjen e saj.

“Paga minimale duhet të rritet menjëherë. Nuk ka, dhe nuk mund të ketë, asnjë argument kundër rritjes së saj. Sepse askush nuk mund të thotë se 170 euro në muaj, mjaftojnë për jetesë”

Për analistin Blerim Burjani, gabimi më i madh është të flitet për pagën minimale, pasi ajo e dëmton punëtorin në sektorin privat nëse thuhet se do bëhet 250 euro.

“Pagë minimale duhet të caktohet paga reale, që i nevojitet një punëtori me katër anëtar të familjes që jeton, e që paga minimale për të mbajt një familje katër anëtarshe është 500-600 euro mujore. Me 250 euro minimale vetëm tatime shkojnë mbi 100 euro e 150 euro tjera për të mbijetuar, pra është katastrofale për këtë arsye ndodh ikja e njerëzve edhe atyre qe janë ekspert se në distanca të gjata jetësore, edhe ata do të jenë të rrezikuar në kuptimin e ekzistencës sociale”

Se a duhet te ketë festë nga (pa) punëtorët kosovar për 1 Majin Ditën e Punëtorëve, është Avni Ajdini nga Bashkimi i Sindikatave te Pavarura ai i cila na jep përgjigje.

“Kur kontrata kolektive, motivimi i nënave të reja me pushim të shtatzënisë, paga minimale, sigurimi shëndetësor, mbrojtja në punë, bashkë me pakënaqësinë e arsyeshme e të të punësuarit e po ashtu edhe me pakënaqësinë e edhe pamundësinë e atij e asaj për të zënë një vend pune, si dhe krejt këto shprehje të arsyeshme të pakënaqësisë, duhen shikuar bashkërisht që shoqëria të marrë rrugën e mbarë, atëherë vërtetë na duhet një 1 Maj më ndryshe.

Për ekonomistin Bellaqa, nuk ka ende arsye nga punëtorët që të ketë hapësirë për festë.

“Punëtorët në sektorin privat, ende ka që punojnë pa kontrata të punës, nuk i paguajnë ende një pjesë kontributete pensionale, orarin e punës e kanë të stërzgjatur, pastaj ju mungon sigurimi shëndetësorë, largimi nga puna pa arsyeje, po ceki një të dhënë statestikore nga të dhënat e inspektoriatit të punës që kanë bërë vitin e kaluar, ka hasur në 700 punëtorë pa kontrata, po ti referohemi të dhenave tjera rrethë 50% e punëtoreve në këtë sektorë nuk kanë kontratë pune dhe i marrin pagat në dorë e as që e paguajnë trustin e shërbimet tjera”.

Për analistin Burjani, festa të shumta i shërbejnë vetëm atyre që punojnë për shtetin, pra adminsitratën dhe sektorin publik të cilët kanë standard më të mirë të jetës.

“Punëtorët asnjë arsye kurrë deri tash nuk e kane pas për të festuar varfërinë. Varferia nuk festohet por ngritja e standardit, jeta më e mirë socio-ekonomike , mbrojtje shëndetësore adekuate.”

Sipas Burjanit në vend se të protestohet me vite, festohet varfëria sociale, jo siguria ekonomike, punë pa kontrata me pagesa simbolike “/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme