Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Koresë së Veriut i duhen “garanci ndërkombëtare për sigurinë” përpara se t’i japë fund programit të saj bërthamor.
Putin i bëri komentet pas takimit të tij të parë me udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, pranë qytetit Vlladivostok në Lindjen e Largët të Rusisë.
Putin tha se garancitë e tilla do të duhen të ofrohen nga një kuadër shumëkombësh.
“Jemi të lumtur për rezultatin e bisedimeve – unë dhe kolegët e mi. Kryetari Kim Jong Un është një person mjaft i hapur dhe zhvilloi një bisedë të lirë për të gjitha çështjet në agjendën tonë”, tha Purtin.
Kim tha se samiti ishte një “shkëmbim shumë domethënës për çështje të interesit të përbashkët”.
Takimi u zhvillua dy muaj pas dështimit të bisedimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut për çarmatosjen bërthamore të Gadishullit Korean.
Kim ka takuar presidentin amerikan, Donald Trump, në muajin shkurt.
Ato bisedime kanë dështuar pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
“Koresë së Veriut i duhen garanci për sigurinë e saj”, tha Putin.
“Ato garanci do të duhet të jenë ndërkombëtare, të obligueshme ligjërisht dhe të sigurojnë sovranitetin e Koresë së Veriut”, shtoi Putin.
Të dy liderët biseduan fillimisht me njëri-tjetrin, ndërsa, më pas, në negociata u përfshinë edhe zyrtarë të lartë nga të dyja anët.
Koreja e Veriut, në vitet e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kërcënuar se ka kapacitet për të goditur SHBA-në dhe aleatët e saj në rajon me armë bërthamore.
Sipas zëdhënësit të Putinit, Dmitry Peskov, Kremlini beson se bisedimet gjashtëpalëshe për Korenë e Veriut, të cilat aktualisht janë të bllokuara, janë e vetmja rrugë efektive për të trajtuar çështjen e armëve bërthamore në Kore të Veriut.
Këto bisedime, që kanë nisur në vitin 2003, përfshijnë dy Koretë, Kinën, Japoninë, Rusinë dhe SHBA-në.
Vizita e Kimit në Rusi u interpretua si mundësi për Korenë e Veriut për të treguar se ka aleatë të fuqishëm, pas dështimit të bisedimeve me SHBA-në.
Analistët thonë se samiti është një mundësi edhe për Rusinë që të tregojë se është një lojtare e rëndësishme në Gadishullin Korean./REL/
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...