110 shtetasit kosovar që u kthyen të premten nga zonat e konfliktit në Siri, përpos që janë duke u ballafaquar me ligjin për veprat e tyre, kërkohet që ata të jenë në mbikëqyrje të vazhdueshme nga institucionet e vendit.
Ende nuk dihet shkalla e rrezikshmërisë për vendin nga disa prej të kthyerve nga Siria. Prandaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkojnë që këta shtetas të Kosovës, që po cilësohen si “viktima” të riintegrohen dhe socializohen në shoqëri, por me mbikëqyrje të vazhdueshme.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Zenun Pajaziti, njëherit edhe ish-Ministër i Punëve të Brendshme, thotë se institucionet e vendit dhe shoqëria kosovare duhet të kujdesën për riintegrimin e tyre.
“Ne duhet me i marrë përgjegjësitë tona për të gjithë shtetasit tanë pavarësisht që ata për një periudhë kanë marrë vendime që kanë qenë në kundërshtim, jo vetëm me ligjet tona, por në kundërshtim me të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve tyre. Tash më shumë se çdo gjë tjetër shoqëria jonë duhet me u tregu e pjekur e kujdesshme dhe me vepru në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Ne duhet të kujdesemi për riintegrimin e tyre”, shprehet Pajaziti për arbresh.info.
Ai vlerëson se mostrajtimi i duhur i tyre mund të sjell pasoja në shoqëri nga ndikimi i tyre, pasi që ende nuk dihet se cili ka qenë misioni i tyre në Siri.
“Ne nuk mund të dimë shkallën e pasojave dhe rrezikshmërisë nga kthimi i tyre, se ne nuk kemi edhe informacione se çfarë kanë qenë ata. A kanë qenë vetëm familjarë që janë detyrura me shku atje, apo kanë qenë të përfshirë në veprime të ndryshme atje. Por sidoqoftë, mos trajtimi adekuat i tyre mundet me na sjell rrezik dhe pasoja për fëmijët që do të jenë të ndikuar në shoqërinë tonë”.
Deputeti nga AAK-së, Rasim Selmanaj, kërkon monitorim të vazhdueshëm të këtyre personave sepse sipas tij ata kanë qenë “viktima të rrymave devijuese të fesë Islame”.
“Pamundësia e institucioneve të shtetit për me ndalu një dukuri të tillë si preventivë, siç është rasti me ekstrem deri të shkuarja e qytetareve tanë në Siri, ka prodhuar këto viktima! Megjithatë si shtet kemi rezultate në këtë drejtim, sepse kemi mbërri të zvogëlojmë dukshëm këtë fenomen, por që në rastin konkret këta qytetar janë viktimë e atyre rrymave devijante të fesë Islame”, deklaroi Selmanaj për arbresh.info.
Sipas tij, 110 shtetasit kosovar të kthyer në Kosovë duhet të risocializohen dhe tu kthehen jetës normale duke larguar idetë për terrorizëm.
“Këta qytetarë duhet me i risocializu dhe me i monitoru me kujdes në mënyrë që këta me u bë qytetar të barabartë dhe me ju kthyer jetës normale dhe mos me pas ide çfarë kanë pas deri më tash. Monitorimi duhet me qenë i vazhdueshëm! Këta janë ndikuar nga persona të caktuar sepse nuk besoj që një familje rrezikon fëmijët e saj me i dërgu atje. Pra nuk besoj që një fëmijë shkon me vullnet në Siri! Fëmijët nuk e kanë asnjë faj, pra janë viktima!”, shtoi ai.
Billall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate kërkon nga institucionet e drejtësisë që të shqyrtojë me kujdes këtë rast dhe që personat që kanë shkelur ligjin të paguajnë për këtë.
“Kjo është çështje ligjore dhe kushtetuese s’ka hapësirë për komente politike kushdo që ka rënë ndesh me ligjin duhet të përballet me ligjin. Nuk dua të paragjykoj. Pres nga organet e shtetit duke filluar nga organet e drejtësisë, prokuroria, gjyqësori në përgjithësi të kryejnë detyrat e veta”, tha shkurt ai.
110 shtetasit e kthyer nga Siria janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it. Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qelaj bëri të ditur se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.
Në bazë të statistikave të policisë, afro 400 qytetarë të Kosovës, kanë marrë pjesë në gjashtë vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të ashtuquajtur “Shteti Islamik”. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre janë vrarë./arbresh.info/
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...
Mirlind Daku shkëlqen me dy gola në fitoren e Rubin Kazanit ...
Reshjet e dendura të shiut, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni...