Ekspertët: Nuk ka bazë ligjore që Ivanov të mbetet President

15:50 | 26 Prill 2019
Arbresh.info

Nuk ka asnjë bazë ligjore ose kushtetuese mbi të cilën presidenti në largim Gjorge Ivanov do të mund të vazhdojë të ushtrojë mandatin e tij, në rast se nuk arrihet census në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kështu vlerësojnë ekspertët e të drejtës kushtetuese Temelko Risteski dhe Trëndafil Ivanovski. Sipas profesorit Risteski, funksionin e presidentit, në rast se nuk zgjidhet president i ri, e ushtron kryetari i Kuvendit të cilit i pushon e drejta për të vendosur në Kuvend.

Deri sa e ushtron funksionin e kreut të Kuvendit dhe njëkohësisht Presidentit të Republikës, kryetari i Kuvendit merr pjesë në punën e Kuvendit, i drejton seancat, organizon dhe cakton seanca por nuk ka të drejtë për të vendosur, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në sjelljen e vendimeve. Kur Kushtetuta parashikon që kryeparlamentari zëvendëson presidentin e vendit, ai e zëvendëson në gjithçka – u shpreh Temelko Risteski, profesor.

Censusi prej 40% është caktuar me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008. Deri atëherë censusi ka qenë 50%. Sipas Ivanovskit, në rast të dështimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve, zgjidhjet janë ndryshimi i kushtetutës për të zgjedhur presidentin në Kuvend, ose për të ulur përsëri censusin.

Kështu që mund të jetë edhe 30%, edhe pse poshtë këtij niveli do të ishte joserioze të mos bëhej përcaktim i ndonjë censusi. Megjithatë nëse eventualisht caktohet ndonjë census i tillë, është shqetësimi i të gjithëve që të mos vijë deri te kjo, sepse edhe ky vendim do të duhej të kalojë nëpër ndryshime kushtetuese. A do të ulet censusi ose do të bëhet përzgjedhje në Kuvend, merr kohë – tha për MIA Trëndafil Ivanovski, ish gjykatës i Kushtetueses.

Në zgjedhjet e 21 prillit, dalja në votime ishte vetëm 41,68% që shënon daljen më të ulët në historinë e vendit ndërkohë që në rrethin e dytë përballen vetëm dy kandidatët Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Liderët politik janë të bindur në arritjen e censusit. Kryeministri Zaev kishte deklaruar një pritshmëri të daljes së votuesve prej 45% kurse në rast të dështimit eventual tha se vendi mund të përballej me një krizë të re politike. Edhe kreu i opozitës Mickoski, së fundmi është i bindur për numër të mjaftueshëm të votave por në rast se kjo nuk ndodh, ai thotë se do të duhet të ulen dhe të bisedojnë se çfarë do të ndodhë më tej.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme