Ahmeti: Nuk presim gjë të re nga takimi i Berlinit

23:00 | 25 Prill 2019
Arbresh.info

Bashkëkryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk pret që në takimin e Berlinit të gjendet një zgjidhje përfundimtare për dialogun.

Kryetar i Prishtinës dhe bashkëkryesues i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti, i cili ndodhet në Uashington i ftuar për një diskutim që u zhvillua të mërkurën në Institutin Republikan mbi çështjet e pazgjidhura të Ballkanit, foli në studiot e Zërit të Amerikës mbi statusin e marrëdhënieve aktuale të Kosovës me Shtetet e Bashkuara si dhe qëndrimin e Prishtinës në marrëdhëniet me Serbinë.

Zoti Ahmeti, të hënën në Berlin, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të jenë në takimin për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron. Ju nuk do të jeni atje, por ky do të jetë rasti i parë që udhëheqësit e të dy vendeve takohen pas ndoshta më shumë se pesë muajsh. Ju çfarë prisni të ndodhë në këtë takim?

Është takim i rregullt në kuadrin e procesit të Berlinit ku ftohen udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi çështje të sigurisë, çështjet e integrimeve dhe në marxhinat e këtij takimi është diskutuar që do të mbahet edhe një takim ku do të diskutohet dialogu. Me ju tregu të drejtën, nuk presim ndonjë ndryshim të madh të situatës. Kishte paralajmërime se këtu do të bëhet marrëveshja, mund të ketë gjëra të tilla, por nuk është ashtu. Më shumë ka të bëjë me definimin, apo me e thënë kështu, të marrin ide se si mund të shkojë procesi përpara. Pra, Gjermania dhe Franca, për herë të parë në këtë proces të dialogut, në këtë nivel, kyçen dhe mundohen të marrin rolin e saj si Bashkim Evropian, për të ndikuar në proces.

Edhe më konkretisht, spekullimet për të cilat është folur, është se aty mund të diskutohet një status i posaçëm për veriun e Kosovës, madje mundësia e një sovraniteti të dyfishtë mbi veriun. Ju thoni që nuk ka diçka të vërtetë?

Nuk besoj. Jo. Këto janë spekulime. Çfarë është e vërteta unë e thashë edhe dje në konferencën që kemi patur. Ideja është që deri më tani është diskutuar më shumë, edhe këto kanë qenë spekulime, mbi ndryshimin e kufijve; ndërsa tash po thuhet se Gjermania vjen me një propozim të ri. Është e vërtetë që ka diskutime që po ndodhin në rrafshin ndërkombëtar, në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropianë. Por, nuk ka me thënë që aty do të jetë një propozim, i cili duhet të pranohet apo refuzohet. Jemi ende në fazën e fillimit të dialogut politik për të bërë një marrëveshje. Por, e vërteta është se të gjitha këto shtete pajtohen se ka gjasa dhe ka mundësi që sivjet të arrihet një marrëveshje. Por, që ju e dini që tashmë për disa muaj procesi është i bllokuar.

Bisedimet Kosovë – Serbi kanë mbetur të bllokuara për shkak të tarifave të qeverisë së Kosovës për mallrat serbe. Të paktën, takimi i Berlinit a mund ta zhbllokojë këtë situatë? Çështjen e tarifave?

Nuk e pres as këtë. Dmth nga bisedat që kam patur edhe me Kryeministrin për tarifat. Ishte dhe një presion edhe më i madh amerikan që ndodhi për shkak të tarifave, por qeveria nuk ndryshoi mendje. Prandaj, nuk besoj se do të ndryshojë mendje atje. Pos, në qoftë se ka ndonjë marrëveshje që të vazhdojë procesi i dialogut pa u hequr tarifat, me kushtin që tarifat do të diskutohen në atë proces të dialogut. Por, edhe Prishtina, edhe Beogradi, kanë deklaruar shumë gjëra që kanë betonuar pozicionin. Edhe Vuçiç deklaron se pa u hequr tarifat nuk ka gjasa që ne të ulemi në tavolinë. Në anën tjetër, edhe qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë përmes Kryeministrit Haradinaj që nuk do t’i lëvizë tarifat dhe që tarifat lëvizen vetëm kur të vijë njohja. Sa do të ndryshojnë pozicionet? Mbetet të shihet, por po e them, më shumë ka një, u rrit një entuziazëm se gjoja në takimin e Berlinit mund të ndodhë diçka e madhe. Nuk pres që mund të ndodhë diçka e tillë.

Megjithatë ju e diskutoni, keni diskutuar ndonjë ide kreative për këtë? Kur prisni juve që të hiqen tarifat, në fund të fundit?

Nuk mendoj, po e them edhe njëherë, duke e marrë parasysh që një pjesë e madhe e shoqërisë së Kosovës beson që këto tarifa janë të drejta. Pra, pas shumë e shumë veprimeve të Serbisë, një politikë agresive e jashtme që ka rezultuar në disa tërheqje të njohjeve, edhe pse ishuj e shtete të vogla. E deri tek ajo që bënë ndaj aplikimit tonë për në Interpol. Erdhi kjo përgjigja për tarifa dhe pastaj po e them erdhi edhe presioni, sepse u bë një propagandë e madhe nga Republika e Serbisë që gjoja Kosova po e bllokon procesin e dialogut. Po mundohemi ta shpjegojmë gjithandej, por po e them, ndoshta edhe u krijua bindja, posaçërisht në rrafshin ndërkombëtar, që Kosova është bllokuese përmes tarifës. Besoj që këtu duhet të angazhohemi të gjithë që ta bëjmë një ndryshim.

Megjithatë, zoti Ahmeti, Uashingtoni ka mbajtur një trysni të vazhdueshme për t’i pezulluar tarifat dhe (nga ju) ka pasur një refuzim për ta dëgjuar këshillën e Uashingtonit. Ndoshta kjo i ka dëmtuar marrëdhëniet me SHBA. Si mendoni?

Vështirë se mund të dëmtohen shumë se marrëdhëniet tona nuk varen vetëm prej një politike, megjithatë edhe në vizitën që isha tani, sepse po e them edhe një herë se dje e sot kemi dhe do të kemi takime edhe me Departamentin e Shtetit, edhe me Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe është e qartë që vazhdojnë me pozicionin e njëjtë; qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se duhet të largohen tarifat. Këtë na e kanë thënë edhe në takime; e thanë prapë edhe dje dhe po ashtu edhe prej plot shteteve të tjera, sepse këta mendojnë se me të vërtetë mund të ketë një marrëveshje prandaj (ata mendojnë se) duhet t’i largojmë këto pengesa që na çojnë drejt asaj marrëveshjeje.

Pyetja ime ishte për dëmin që mund t’i jetë shkaktuar marrëdhënieve.

Kanë ndodhur disa gjëra. Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka refuzuar vizat për zyrtarë; por nuk është që i ka dhënë refuzim, por i ka mbajtur në proces administrativ duke i vonuar ato edhe pse javëve të fundit ka ndodhur që kanë ardhur edhe përfaqësues të qeverisë. Po ashtu ka ndërprerë pjesëmarrjen e Kosovës në takime multilaterale që kanë të bëjnë me sigurinë, të cilat janë të organizuara nga Shtetet e Bashkuara. Por nuk ka pasur eskalim të mëtutjeshëm, por edhe bisedat që kanë qenë që do të tërhiqen me ushtrinë…

Zoti Ahmeti, verën e kaluar u hodhën idetë për të diskutuar mbi kufijtë në bisedimet Kosovë – Serbi dhe kjo mundësi madje u mbështet nga administrata amerikane nëse kjo do të bëhej me pajtimin e palëve. Por, kohët e fundit debatet rreth kësaj çështjeje pothuajse janë shuar. Çfarë ka ndryshuar? Ka ndryshuar ndonjë taktikë në çështjen e diskutimit?

E para, ajo asnjëherë nuk u tha zyrtarisht nga askush, pra në asnjë takim. Gjithmonë ishin diskutimet e prapaskenave dhe gjithmonë ishin disa hamendësime, për të cilat mendohej se ndoshta i përkrahin Shtetet e Bashkuara. Mendoj se hasën në një rezistencë të madhe, edhe lokale, edhe në Kosovë, edhe në Serbi, por po ndodh edhe një diskutim ndërkombëtar. Unë e thashë edhe në konferencë dje që është hera e parë në 20 vitet e fundit që Kosova dëgjon dy gjëra të ndryshme, apo dy këshilla të ndryshme nga partnerët më të mëdhenj që i ka ndërkombëtarisht. Natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ne janë partneri më i madh, por në anën tjetër kemi Gjermaninë, po e them në mënyrë specifike, e ndoshta edhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë shprehur skepticizëm për çfarëdolloj marrëveshjesh për të cilat po flitet. Amerika e ka qëndrimin: në qoftë se të dyja palët merren vesh, kjo do të jetë e pranueshme për ne, natyrisht në qoftë se është në përputhje për interesat amerikane. Ndërsa Gjermania dhe Anglia kanë thënë se nuk jemi për çfarëdo marrëveshje, pra duhet të kemi kujdes për marrëveshjet që mund të kenë pasoja për shtetet e tjera në Ballkan dhe më gjerë.

Ju kërkoni njohje nga Serbia dhe mbështetje ndërkombëtare për një qëndrim të tillë. Por, si mendoni të merrni mbështetje kur nuk arrini të siguroni një konsensus të brendshëm për procesin?

Megjithatë, mendoj se ne e kemi kaluar platformën në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk ka ndonjë vërejtje për platformën. Aty thuhet se kufijtë tonë janë të paprekshëm dhe nuk mund të ketë nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë. Ndërsa mund të diskutojmë për çështjet e hapura siç janë të drejtat e minoriteteve, mund të flasim për kishën ortodokse serbe, por duhet të flasim pastaj edhe për të pagjeturit, për reparacionet e luftës, për dëmet që na i ka shkaktuar Serbia neve, e deri tek dëmet dhe njohja e fakteve të viktimave të dhunës seksuale, për të cilat do të organizohet edhe një dëgjim i plotë javën e ardhshme në Kongresin amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme