Nxënësit e shkollës shqipe nga Kroacia vizituan MDIS-in

16:27 | 25 Prill 2019
Arbresh.info

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, përkatësisht nga Departamenti për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, sot filloi ekskursioni me nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga Kroacia – nga rajoni i Istrës,i Rjekës, Karlovcit, Zagrebit – bashkë me mësuesit e tyre. Ekskursioni do të zgjatë pesë ditë dhe do të ketë karakter mësimor njohës.

Në kuadër të këtij ekskursioni, ata sot e vizituan Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Nxënësit e shkollës shqipe nga Kroacia i pritën zv.ministri i MDIS-it, Isni Kilaj, drejtoresha e DRKAKD-së, Maliqe Hashani, dhe përfaqësues të tjerë të ministrisë.

“Jemi të lumtur që po e vizitoni vendlindjen tuaj dhe të prindërve tuaj. Ne, si ministri, me fondet që kemi, kemi arritur të krijojme lidhje me gjithë diasporën tonë” , tha z. Kilaj. Ai ka shtuar se Kroacia është një ndër vendet me diasporën më të organizuar.

Mysafirët nga Kroacia falëndruan MDIS-in për mbështetjen që u ofron.

Pas MDIS-it, ekskursioni i tyre do të vazhdojë me vizita në institucione shkollore, në qytete të Kosovës e Shqipërisë, me ç’rast do të njihen me historinë dhe trashëgiminë kulturore e historike të vendeve shqiptare./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme